Zvicër / Lazim Destani merr pjesë në ballon e organizuar nga ‘Swissalbs’
Dje në Sallën e Kongreseve në Zyrih, përmes një ceremonie festive, u zhvillua edicioni i katërt i Ballos që tash e disa vite organizohet nga ‘Swissalbs’. Kjo ngjarje tradicionale bashkon sipërmarrës shqiptarë që veprojnë në Zvicër ndërsa ka për qëllim të njohë dhe vlerësojë arritjet dhe kontributin e sipërmarrësve dhe individëve të suksesshëm të komunitetit shqiptar në këtë vend. Lazim Destani ishte një nga personalitet shqiptare të ftuara për të marrë pjesë në këtë Ballo.
Për herë të parë këtë vit u dha çmimi “Heroi i Komunitetit”, me të cilin këtë herë u nderua Islam Alijaj, deputeti i parë shqiptar në Parlamentin Federal të Zvicrës. Alijaj u nderua për angazhimin e tij të palodhur në mbështetje të personave me nevoja të veçanta, një kauzë që ai e ka përkrahur për shumë vite. Ai njihet për rolin e tij si politikan në Partinë Socialdemokrate, por mbi të gjitha, për përkushtimin e tij humanitar dhe mbrojtjen e të drejtave të njerëzve në nevojë.
Me çmimin prestigjioz të këtij edicioni, “Sipërmarrësi i Vitit 2024”, u dekorua Liridona Makica e cila drejton një kompani të kujdesit shëndetësor që ofron shërbime në shtëpitë e pacientëve në Zvicër.
Balloja e organizuar nga Swissalbs synon të mbledhë në një vend biznesmenë, profesionistë dhe figura të suksesshme shqiptare në Zvicër, duke u dhënë atyre një platformë për të ndarë sukseset dhe për të kontribuar në zhvillimin ekonomik, kulturor dhe social në Zvicër dhe më gjerë. Mbrëmja u shoqërua me këngë nga artistët e njohur Selami Kolonja, Marisa Murtezi dhe Ilir Dërbaçi.
Mbi pjesëmarrjen në këtë aktivitet ja ç’thotë Lazim Destani në Facebook:
Mbrëmë pata kënaqësinë e veçantë të marr pjesë në një ngjarje të shkëlqyeshme në mesin e komunitetit tonë në Zvicër. Ishte kjo balloja që u mbajt në Cyrih nën organizimin e Swissalbs, një organizatë me seli në Cyrih që synon promovimin e frymës sipërmarrëse dhe nderon arritjet e jashtëzakonshme të bashkatdhetarëve tanë. Në eventin e mbrëmshëm përpara një auditori të gjerë, në një atmosferë të bukur festive me program të pasur kulturo-artistik, u nda çmimi vjetor ‘Ndërmarrës i Vitit’.
Ishte ky një rast i këndshëm ku takova personalitete të shquara shqiptare nga fusha e biznesit, shkencës, artit, kulturës, mediave dhe e politikës. Këtu po e veçoj takimin me deputetin e parë shqiptar në Parlamentin e Zvicrës, Islam Alijaj, një njeri me integritet dhe ambicioz për realizimin e synimeve të tij në karrierë e në jetë. Ndërsa ishte solisti i njohur, strugani Selami Kolonja, i cili me interpretimin e tij i dha bukuri të veçantë këtij aktiviteti.
E përgëzoj për aktivitetet si dhe e falënderoj gjithë Grupin Swissalbs për ftesën, nderimin dhe për kënaqësinë që gjeta në këtë mbrëmje të bukur.