Lazim Destani merr pjesë në promovimin e librit, ‘Si e zbuluam Zvicrën duke ecur’

people gathered in venue

Të shtunën, (14.09.2024) në Cyrih të Zvicrës u promovua libri i bashkautorëve Enver Robelli dhe Omer Xhemaili. Në në këtë ceremoni promovimi morën pjesë shumë personalitete të shquara si akademiku Ali Aliu, filantropi Lazim Destani, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër Mentor Latifi, nga Ambasada e Shqipërisë Valon Gashi e shumë personalitete të tjera shqiptare.

Pas rreth 10 vjet bredhje nëpër alpet, bjeshkët e kodrat e Zvicrës, unë dhe Omer Xhemali, drejtor i Klinikës së Kardiokirurgjisë në Spitalin Universitar të Cyrihut, kemi nderin dhe jemi të lumtur ta promovojmë librin tonë me titull “Si e zbuluam Zvicrën duke ecur - një shtegtim nëpër alpe dhe histori”, tha Enver Robelli në fjalën e tij në këtë ceremoni. Libri ynë, vazhdoi ai duke thënë, nuk është vetëm një udhëpërshkrim i ecjeve tona, por diçka më shumë, është një histori e Zvicrës, e miteve të saj, e legjendave, e zhvillimit ekonomik dhe politik si dhe shumë aspekteve të tjera të rëndësishme. Këto dhe shumë histori të tjera të panjohura, jo vetëm shqiptare, shpalosen në këtë libër. Vëmendje e posaçme u është kushtuar edhe shkrimtarëve, piktorëve, antropologëve dhe fotografëve zviceranë, të cilët kanë vizituar viset shqiptare në 150 vitet e fundit.

Ky libër është historia e parë e Zvicrës e shkruar nga dy autorë shqiptarë.

Për ndjesinë e tij nga kjo pjesëmarrje, Lazim Destani në Facebook shprehet:

Ishte nder dhe kënaqësi e jashtëzakonshme të jem në mesin e një auditori të gjerë, dashamirës të fjalës së shkruar shqipe, këtu në qytetin e Cyrihut në Zvicër ku u promovua libri ‘Si e zbuluam Zvicrën duke ecur’. Këtë libër na e sjellin dy bashkautorët Enver Robelli dhe Omer Xhemaili, dy emra që me arritjet dhe famën e tyre na bëjnë të ndihemi fort krenar. Robelli në sferën e gazetarisë dhe Xhemaili në atë të mjekësisë, me punën e tyre prej shumë vitesh në Zvicër, kanë kapur majat e suksesit. Me veprat dhe emrin e tyre ata nderojnë kombin shqiptar brenda dhe jashtë vendit.

Ky libër, siç e thonë bashkautorët, është një ‘shtegtim nëpër alpe dhe histori’, ku këta sjellin eksperiencën e rrugëtimit të tyre në tokën helvetike por edhe elemente të traditës, kulturës dhe legjendave të kësaj toke ku komuniteti ynë ka gjetur mbështetje e ngrohtësi. Nga figurat e letrave shqipe që morën pjesë në këtë promovim, e në veçanti nga kritiku ynë letrar Akademiku Ali Aliu, kjo vepër u vlerësua me notat më të larta.

Edhe me këtë rast, bashkautorët e nderuar Enver Robelli dhe Omer Xhemaili i falënderoj për ftesën ndërsa i uroj e i përgëzoj për sukseset në punën e tyre të çmueshme.

Previous
Previous

Lazim Destani e priti në takim kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami

Next
Next

Zvicër / Lazim Destani merr pjesë në ballon e organizuar nga ‘Swissalbs’