Itali / Lazim Destani merr pjesë në ceremoninë e përurimit të statujës së Gjergj Kastriotit në Horën e Arbëreshëve (Piana degli Albanesi), Sicili
Përmes një ceremonie festive dje (30. 08. ’24) në Horën e Arbëreshëve (Piana degli Albanesi), Sicili, u përurua statuja e heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Në këtë ngjarje të bukur e të veçantë me karakter kombëtar morën pjesë autoritete e figura të shquara nga të gjitha trojet e nga diaspora shqiptare, ndër të cilët, Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë Elisa Spiropali, Lazim Destani, Lulzim Jashari (djali i heroit kombëtar Adem Jashari), e shumë të tjerë. Ata gjetën këtu pritjen e ngrohtë të arbëreshëve e të Kryetarit të kësaj Komune, Rosario Petta, i cili njëherësh është dhe Anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës Shqiptare.
Statuja e vendosur përballë bashkisë në sheshin e këtij qyteti erdhi si dhuratë nga mërgata shqiptare në shenjë mirënjohjeje për përkushtimin e arbëreshëve, për ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhës, kulturës dhe traditës arbërore për më shumë se pesë shekuj.
Duke uruar komunitetin arbëresh, Kryetari i Komunës Rosario Petta gjatë fjalës së tij e çmoi lart rëndësinë e kësaj ngjarje.
“Nga 30 gushti i vitit 1488, data e themelimit të Horës, kanë kaluar plot 536 vjet, dhe atëherë e sot, gjuha, kultura dhe traditat arbërore me dashuri janë përcjellë nga brezi në brez. Pasuria kulturore e ne arbëreshëve në tokën italiane është unike dhe duhet të ruhet e të vlerësohet”, tha Rosario Petta si dhe falënderoi mërgatën shqiptare për këtë dhuratë shumë të çmueshme.
Lazim Destani në fjalën e tij ndër të tjera tha, - Arbëreshët, kjo pjesë e shkëputur nga trungu ynë kombëtar, janë një komunitet që na mbush me krenari. Ata janë shembulli më i përkryer i ruajtjes së identitetit kombëtar, gjuhës, kulturës, riteve e traditave të lashta arbërore. Sot kemi detyrimin ta mbështesim këtë komunitet e t’i forcojmë lidhjet me vëllezërit tanë të të njëjtit gjak.
Për pjesëmarrjen e tij në këtë ngjarje, Lazim Destani në Facebook shprehet:
Nder dhe kënaqësi e jashtëzakonshme ishte pjesëmarrja dje në ceremoninë e përurimit të Shtatores së Gjergj Kastriotit në sheshin e Bashkisë Hora e Arbëreshëve në Sicili. Për të marrë pjesë në këtë ngjarje madhështore kishin ardhur bashkatdhetarë nga të gjitha trojet tona e nga diaspora. Këtu gjetëm pritjen e ngrohtë të vëllezërve tanë arbëreshë e të Kryetarit të kësaj Bashkie, mikut tim Rosario Petta.
Ky komunitet, i shkëputur nga trungu ynë prej më se pesë shekujsh, është shembulli më i mirë dhe meriton çdo lëvdatë për ruajtjen me krenari të gjuhës, kulturës, zakoneve dhe shpirtit kombëtar. Këtë vepër monumentale arti pjesëtarët e diasporës sonë ia bënë dhuratë arbëreshëve në shenjë mirënjohje për kontributin e paçmueshëm që ata dhanë për çështjen kombëtare brez pas brezi, tash e 553 vjet, që kur u shpërngulën në këto anë të Italisë. Me këtë rast, Shoqatën “Hora e Skënderbeut”, themeluar nga bashkatdhetarët tanë në Zvicër, e falënderoj për ftesën si dhe e përgëzoj për iniciativën dhe angazhimin për realizimin e këtij projekti me peshë kombëtare.