Tetovë/ Përurohet donacioni i Ecolog-ut për Spitalin Klinik të Tetovës
Falë donacionit nga kompania Ecolog e filantropit Lazim Destani dje u përuruan repartet e rinovuara të Spitalit Klinik të Tetovës. Realizimi i këtij projekti ka sjellë transformim të plotë të reparteve të sëmundjeve interne. Gjashtë repartet kryesore të mjekësisë interne - pediatria, endokrinologjia, neurologjia, psikiatria, kabineti EEG dhe EMG si dhe pavijoni i laboratorit, tashmë ofrojnë shërbime shëndetësore sipas standardeve më të larta europiane. Ky donacion gjithashtu përfshin punime rikonstruksioni të hyrjes kryesore si dhe fasadës së godinës.
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë personalitete të shquara si filantropi Lazim Destani, Ministri i Shëndetësisë Dr. Arben Taravari, Drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës Dr. Agim Berisha, ish-Drejtori i këtij spitali Dr. Ilir Demiri, si dhe mjekë, infermierë e të ftuar të tjerë.
Filantropi Lazim Destani në fjalën e tij theksoi rëndësinë e këtij investimi për përmirësimin e kushteve të spitalit dhe cilësisë së shërbimeve shëndetësore.
“Me këtë investim Spitali Klinik i Tetovës ka marrë një pamje europiane duke krijuar kushte më të mira jo vetëm për pacientët por edhe për personelin mjekësor,” tha z. Destani.
Me këtë rast ai falënderoi ish-Drejtorin Ilir Demiri për iniciativën dhe theksoi nevojën e bashkëpunimit dhe motivimit të biznesmenëve për t’u përfshirë në projekte të tilla.
Ministri i Shëndetësisë Dr. Arben Taravari e përgëzoi zotin Destani për këtë gjest fisnik dhe u bëri thirrje donatorëve të mundshëm për më shumë investime në sistemin shëndetësor dhe atë arsimor të vendit. “Investimet e këtilla i përmirësojnë kushtet ku mësojnë fëmijët tanë apo ku ne marrim shërbime shëndetësore,” tha Ministri Taravari.
Drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Dr. Agim Berisha, e cilësoi këtë projekt si një hap të madh përpara për përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe shërbimeve të spitalit.
“Kompania Ecolog ka treguar një humanitet të jashtëzakonshëm, dhe ky donacion është një shembull i shkëlqyer i mbështetjes së nevojshme për përmirësimin e kujdesit shëndetësor,” theksoi ai.
Ish-Drejtori Dr. Ilir Demiri falënderoi z. Destani për këtë donacion prej rreth një milion euro që Ecolog-un e bën të jetë donatori më i madh për Spitalin Klinik të Tetovës.
“Ky është një akt që tregon se më të mirët janë ata që realizojnë vepra bamirësie në shërbim të shoqërisë,” tha Demiri në fjalën e tij përshëndetëse.
Me këtë rikonstruksion, repartet dhe sidomos dhomat e pacientëve kanë pësuar transformim thelbësor, me banja e televizorë për çdo dhomë si dhe me internet e pajisje teknologjike të kohës. Ky investim është dhe një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të cilësisë së shërbimeve shëndetësore në nivel rajoni, ndërsa vjen si rezultat i marrëveshjes për bashkëpunim mes kompanisë Ecolog dhe Spitalit Klinik të Tetovës të nënshkruar në dhjetor 2023.