Prishtinë / Lazim Destani, në 10 vjetorin e Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare
Rreth 350 përfaqësues biznesesh ishin të pranishëm në ngjarjen e organizuar nga Degët e Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare. Ky takim, që gjithashtu shënoi 10 vjetorin e Rrjetit, u zhvillua me datë 17 dhe 18 Maj në Prishtinë.
Në këtë ngjarje jubilare morën pjesë shumë afaristë nga diaspora e nga trojet tona, përfaqësues të subjekteve ekonomike e të biznesit nga Kosova, si dhe themelues dhe anëtarë të Rrjetit. Nga drejtuesit e Rrjetit këtu ishin të pranishëm Lazim Destani në rolin e tij si Kryetar Nderi i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës, Yll Blakaj - Kryetar i Rrjetit për Europë, Nazmi Viqa – Kryetar i Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, si dhe shumë drejtues të tjerë nga degët e Rrjetit të vendeve europiane. Ishte e pranishme gjithashtu Znj. Kerry Monaghan-Hogler - Zv.Drejtoreshë e Misionit të USAID-it në Kosovë, Lulzim Rafuna – Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, Agim Shahini – Kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, si dhe një sërë personalitetesh nga institucionet e vendit.
Ky aktivitet dy-ditor kishte për synim promovimin e arritjeve të Rrjetit si dhe hartimin e një plani vizionar për të forcuar lidhjet e për të rritur bashkëpunimin mes bizneseve të diasporës dhe atyre të vendit. Për t’u njohur nga afër me produktet kosovare përfaqësuesit e kompanive të diasporës vizituan disa kompani prodhuese në Prishtinë e në disa qytete tjera të vendit. Gjatë këtyre vizitave ata patën mundësi të shkëlqyera për eksplorimin e potencialit për bashkëpunim me këto kompani. Afaristët nga diaspora gjithashtu u takuan edhe me udhëheqësit e komunave për t’i parë mundësitë e invesitimit të tyre në Kosovë.
Me rastin e hapjes solemne të kësaj ngjarje, Lazim Destani dhe gjithë folësit e tjerë i vlerësuan lart arritjet e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare duke nënvizuar rolin e rëndësishëm të Rrjetit në zhvillimin ekonomik dhe sidomos në rritjen e eksporteve nga vendet e rajonit tonë.
Lidhur me këtë aktivitet, Lazim Destani në rrjetin social Facebook shkruan:
Ishte kënaqësi e jashtëzakonshme që për dy ditë me radhë u bëmë bashkë qindra shqiptarë nga diaspora e trojet tona si pjesë e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare. Për dy ditë rresht qëndruam në Prishtinë, në vitin jubilar të 10-vjetorit të këtij Rrjeti. Ishin dy ditë të ngjeshura me aktivitete, takime e diskutime me anëtarë e përfaqësues të degëve që veprojnë në shtete të ndryshme europiane. Gjatë këtyre akiviteteve gjithashtu realizuam vizita në disa kompani në Prishtinë e në qytete tjera të Kosovës ku ndoqëm prezantime dhe ku u zhvilluan shumë takime B2B mes përfaqësuesve të bizneseve të diasporës e të vendit.
Ky aktivitet i ka shërbyer diasporës dhe Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare për të ecur në rrugën e duhur, drejt rritjes së bashkëpunimit mes anëtarëve e bizneseve shqiptare. Sa më shumë t’i forcojmë lidhjet dhe bashkëpunimin tonë aq më të suksesshëm do të jemi në projektet që kemi para nesh e në misionin tonë.
Uroj dhe shpresoj, për të mirën e të gjithë shqiptarisë ky Rrjet të ecë në rrugën e duhur të zhvillimit e fuqizimit të tij, duke mbledhur rreth vetes sa më shumë afaristë shqiptarë, kudo që ata ndodhen me aktivitetet e tyre.