Kroaci / Vizita e Lazim Destanit dhe Nazmi Jakurtit, pasqyrë e marrëdhënieve të forta në Diasporë
Aktivitetet e komunitetit shqiptar në Kroaci këtë fundjavë janë pasuar nga vizita e dy personaliteteve të Diasporës shqiptare, Kryetarit të Nderit të Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës dhe njëherit Anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës, Lazim Destani, dhe Kryetarit të Lidhjes Shqiptare në Botë, juristit të mirënjohur nga radhët e diasporës shqiptare në Zvicër, Nazmi Jakurti.
Aktivitetet e tyre treditore në Zagreb nisën me vizitën tek Qendra e Unionit të Shqiptarëve të Kroacisë ku i priti Nënkryetari i këtij Unioni, Agim Gjidoda. Më pas ata vizituan selinë e Lidhjes Shqiptare në Botë (LShB) - për Kroaci, ku u pritën nga drejtuesit e kësaj dege të LShB, Sahit Tashevci dhe Rrok Lekaj. Krahas disa biznesmenëve të suksesshëm në Kroaci, këtu ishin të pranishëm edhe dy Ambasadorët shqiptarë në Zagreb, z. Riza Poda, Ambasador i Shqipërisë dhe z. Milaim Fetai, Ambasador i Maqedonisë së Veriut.
Në ditën e dytë të aktiviteteve të tyre, Lazim Destani dhe Nazmi Jakurti vizituan Ambasadën e Shqipërisë, Ambasadën e Kosovës, dhe Ambasadën e Maqedonisë së Veriut në kryeqytetin kroat. Në këto takime me Ambasadorët e nderuar z. Riza Poda, z. Martin Berishaj dhe z. Milaim Fetai, ata diskutuan e shkëmbyen mendime lidhur me tema të ndryshme që kanë të bëjnë me komunitetin shqiptar në këtë vend.
Qendra Informative dhe Kulturore e Maqedonisë së Veriut në Zagreb ishte gjithashtu një pikë ndalese ku Destani dhe Jakurti vizituan ekspozitën e piktorit të mirënjohur nga Gostivari Prof. Reshat Ameti.
Gjatë qëndrimit të tyre treditor në Kroaci, Lazim Destani dhe Nazmi Jakurti takuan shumë personalitete të shquara shqiptare nga fusha e biznesit, kulturës dhe shkencës që jetojnë e veprojnë në këtë vend. Ndër këto takime është për t’u veçuar vizita që ata i kushtuan veprimtarit të palodhshëm të çështjes kombëtare, themeluesit të Lidhjes Shqiptare në Botë dhe tash Kryetar Nderi i LShB, mikut të tyre të moçëm, Simon Kuzhnini.
Për këtë aktivitet treditor Lazim Destani në Facebook shkruan:
Ishte kënaqësi të jesh në mesin e komunitetit shqiptar në Zagreb të Kroacisë. Së bashku me mikun tim Nazmi Jakurti, Kryetar i Lidhjes Shqiptare në Botë, sot e mbyllëm vizitën tonë treditëshe në këtë vend ku diaspora jonë, si gjithmonë në të kaluarën, këtu gjen respektin dhe pritjen e ngrohtë nga populli mik kroat.
Qëndrimi ynë treditor në këtë vend na dha mundësinë të realizojmë disa vizita të entiteteve të diasporës sonë këtu si dhe të përfaqësive tona diplomatike në Zagreb. Fillimisht ne vizituam Qendrën e Unionit të Shqiptarëve të Kroacisë ku na priti z. Agim Gjidoda, Nënkryetar i Unionit. Pastaj realizuam një vizitë te Dega për Kroaci e Lidhjes Shqiptare në Botë (LSHB) ku na pritën drejtuesit e këtushëm të LShB z. Sahit Tashevci dhe z. Rrok Lekaj. Në këtë takim, krahas disa afaristëve të suksesshëm shqiptarë në Kroaci, patëm nderin ta kemi të pranishëm edhe z. Riza Poda, Ambasador i Shqipërisë në Zagreb, si dhe z. Milaim Fetai, Ambasador i Maqedonisë së Veriut në këtë vend.
Në ditën e dytë të aktiviteteve tona, ne vizituam tre Ambasadat tona në Zagreb, Ambasadën e Shqipërisë, Kosovës dhe Ambasadën e Maqedonisë së Veriut. Gjatë këtyre takimeve, me Ambasadorët tanë këtu, z. Riza Poda, z. Martin Berishaj dhe z. Milaim Fetai, ne zhvilluam biseda e shkëmbyem mendime mbi tema që lidhen me diasporën tonë në Kroaci. Ishte vlerësim yni i përbashkët se komuniteti ynë në Kroaci është mirë i integruar dhe gëzon respekt të plotë në këtë vend. Pas këtyre takimeve ishim për vizitë te Qendra Informative dhe Kulturore e Maqedonisë së Veriut në Zagreb. Në hapësirat e kësaj Qendre vizituam ekspozitën e piktorit të mirënjohur nga Gostivari, Prof. Reshat Ameti.
Në vargun e këtyre takimeve, po e veçoj vizitën që i kushtuam veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, themelues dhe Kryetar Nderi i Lidhjes Shqiptare në Botë, z. Simon Kuzhnini. Takimi me këtë mik të moçëm dhe pritja bujare në familjen e tij, ashtu si gjithmonë, ishte e ngrohtë e vëllazërore.
Me këtë rast po e shpreh kënaqësinë time për arritjet e shumta të pjesëtarëve të diasporës sonë në Kroaci. Për këto arritje, si në sferën e biznesit ashtu dhe në atë të kulturës e shkencës, e përgëzoj diasporën tonë ndërsa e falënderoj popullin kroat për marrëdhënien shembullore me diasporën tonë në këtë vend.