Tetovë / Lazim Destani merr pjesë në aktivitetet e Javës së Veçantë Studimore

Tetovë / Lazim Destani merr pjesë në aktivitetet e Javës së Veçantë Studimore

Lazim Destani ka marrë pjesë në aktivitetet e Javës së Veçantë Studimore (JVS) organizuar nga Universiteti i Tetovës në bashkëpunim me Shoqatën “Arsimi” nga Zvicra. Tema e këtij viti ishte: “Biodiversiteti dhe diversiteti kulturor – Diversiteti si metodë hulumtimi e reflektimi”. 

Java e parë e këtij viti akademik i ka gjetur studentët e Fakultetit Pedagogjik të Universitetit të Tetovës së bashku me profesorët e tyre në një varg katundesh të malësisë së Sharrit. Përmes këtij aktiviteti studimor studentët i zgjerojnë njohuritë e tyre duke vëzhguar e hulumtuar nga afër mënyrën e jetesës së banorëve të këtyre fshatrave. Në këto katunde, ekipet e punës për çdo fshat veçmas, ua prezantojnë studentëve karakteristikat socio-kulturore, historikun e fshatit, bimësinë, kulturat bujqësore, deri te ushqimet e tyre tradicionale.

Në mesin e katundeve të vizituara ishte edhe Bozovca ku Lazim Destani ishte i ftuar si një personalitet i njohur e i nderuar që lindi në këtë katund. Krahas studentëve dhe profesorëve të Pedagogjikut në këtë ngjarje ishin të pranishëm edhe ekipet prezantuese nga të gjitha fshatrat e kësaj ane që dhanë kontributin e tyre për realizimin e këtij aktiviteti studimor. 

Tetovë / Lazim Destani merr pjesë në aktivitetet e Javës së Veçantë Studimore

Prania e Lazim Destanit në këtë aktivitet në Bozovcë, Javën e Veçantë Studimore e bëri akoma më të veçantë. Si gjithmonë kur e viziton katundin e tij ai u prit në mënyrë mjaft madhështore. Shumë bashkëfshatarë të tij kishin dalë për ta pritur që në hyrje të fshatit, duke e shoqëruar pastaj deri te oborri i shkollës ku e prisnin grupi i studentëve, profesorët dhe ekipet e punës që përfaqësonin fshatrat e përfshira në këtë studim.

Si pjesë përmbyllëse e kësaj jave studimore ishte dhe panairi që u mbajt në mjediset e Universitetit të Tetovës. Nga çdo fshat i përfshirë në këtë studim, grupet e punës kishin sjellë dhe ekspozuar në këtë panair aspekte të ndryshme që përbëjnë tablonë e përgjithshme të mënyrës së jetesës. Ata kishin sjellë këtu ushqime apo veshje tradicionale, orendi e vegla shtëpiake si djepi a tundësi, ndërsa në stenda kishin vënë portretet dhe emrat e figurave të shquara që me veprat apo kontributin e tyre kanë lënë gjurmë historike.  

Tetovë / Lazim Destani merr pjesë në aktivitetet e Javës së Veçantë Studimore

Pjesëmarrjen në këto aktivitete, ja si e përshkruan në rrjetet e tij sociale Lazim Destani:

“I ftuar për t’i ndjekur aktivitetet e Javës së Veçantë Studimore (JVS) këto ditë pata nderin e kënaqësinë të marr pjesë në disa nga punimet e këtij aktiviteti njëjavor. JVS është produkt bashkëpunimi mes Universitetit të Tetovës dhe Shoqatës ‘Arsimi’ nga Zvicra, e themeluar nga pjesëtarët e diasporës sonë në këtë vend. Aktiviteti i sivjetëm mbahet për të tretin vit me radhë. Për dallim nga vitet e kaluara kësaj radhe studentët e Pedagogjikut bashkë me profesorët e tyre kanë dalë në terren për të bërë vizita studimore në dhjetë fshatra të malësisë së Sharrit, ndër të cilët edhe në fshatin tim të lindjes, në Bozovcë.

Nëpër këto fshatra studentët e kanë gjetur atë pritjen me zemërgjerësi të malësorëve tanë ku grupet e punës në çdo fshat veçmas ua kanë prezantuar atyre veçoritë socio-kulturore, historikun e fshatit, bimësinë, kulturat bujqësore të kultivuara brez pas brezi, deri te gatesat e tyre tradicionale. Andaj kënaqësia ime sigurisht do të ishte akoma më e madhe sikur ta kisha mundësinë të jem pjesë e këtij aktiviteti jo vetëm në Bozovcë por edhe te nëntë katundet tjera.

Aktiviteti tjetër i JVS ku unë mora pjesë ishte panairi i djeshëm që u mbajt në oborrin e gjerë të Universitetit të Tetovës. Krahas këtyre dhjetë katundeve të malësisë së Sharrit, përmes grupeve të tyre punuese, në këtë panair bënë prezantimet e tyre edhe shumë katunde të tjera. Çdo katund kishte këndin dhe stendën e vet ku kishin sjellë dhe ekspozuar veçoritë e veta, domethënëse dhe me vlerë për natyrën hulumtuese studimore të projektit JVS.

Me këtë rast dua t’i përgëzoj e t’i falënderoj organizatorët e JVS, Dekanin e Pedagogjikut, profesorin Lulzim Mehmedi, përfaqësuesin e Shoqatës ‘Arsimi’, Profesorin nga diaspora Mahir Mustafa, grupet punuese dhe gjithë ata që u angazhuan për ta realizuar këtë aktivitet me sukses.

Në veçanti e falënderoj për pritjen Rektorin Prof. Dr. Jusuf Zejneli, të cilin me këtë rast pata kënaqësinë ta uroj për zgjedhjen e tij në detyrën e re si Rektor i Universitetit të Tetovës ‘Fadil Sulejmani’.”

Previous
Previous

Prishtinë / Lazim Destani merr pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Kolegjit AAB

Next
Next

Prishtinë / Lansohet në Kosovë “OneFor”, aplikacion i ri për shërbime financiare digjitale