Prishtinë / Lazim Destani merr pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Kolegjit AAB

lazim destani on scene speaking to audience

Përmes një feste unike e madhështore, në sallën “1 Tetori” në Prishtinë u mbajt dje Ceremonia e Diplomimit të studentëve të nivelit Bachelor dhe Master të Kolegjit AAB.

Në këtë ceremoni, krahas studentëve që po diplomonin ishin të pranishëm edhe prindërit e familjarët e tyre si dhe drejtues e pedagogë të këtij Kolegji. Për ta ndjekur këtë ngjarje festive ishin ftuar dhe morën pjesë edhe autoritete shtetërore si dhe i nderuari Rifat Jashari, i cili e kishte një arsye më shumë për të qenë në këtë mes pasi po diplomonte nipi i tij Shaban Jashari, pinjoll i familjes legjendare Jashari.

Rektori i Kolegjit AAB Lulzim Tafa në fjalën e tij përshëndeti të gjithë të diplomuarit në këtë ditë të veçantë për ta, duke u përcjellë atyre urimet më të përzemërta. Ndër të tjera, ai tha se te ky Kolegj çdo gjenerate i kushtohet rëndësi e kujdes dhe për këtë arsye ata korrin sukseset më vonë.

I ftuar special dhe Guest Speaker në këtë ceremoni diplomimi ishte filantropi shqiptar me famë ndërkombëtare Lazim Destani, i cili përmes fjalës së tij i motivoi studentët të besojnë në ëndrrat e tyre për të ardhmen.

Ja në vijim postimi i Lazim Destanit në rrjetet e tij sociale, së bashku me fjalën e tij të plotë para të pranishmëve në ceremoni:

“Ishte madhështore mbrëmë ceremonia e diplomimit të studentëve të Kolegjit AAB në Prishtinë. Mbi një mijë studentë dhe prindër e familjarë të studentëve së bashku me drejtues e pedagogë të këtij Kolegji e kishin mbushur plot e përplot sallën e sportit “1 Tetori” në kryeqytet. Me këtë rast, për ftesën dhe nderimin që më bënë i falënderoj drejtuesit e Kolegjit AAB si dhe i përgëzoj për arritjet e kësaj vatre të arsimit në Kosovë. Si i ftuar nderi në këtë ceremoni pata kënaqësinë e vaçantë ta përshëndet këtë ngjarje festive përmes një fjalimi motivues për studentët e sapo diplomuar.

Fjala e plotë:

Me shumë kënaqësi e pranova ftesën për të marrë pjesë në këtë ceremoni ku po kurorëzohet puna disavjeçare e ju studentëve dhe gjithë stafit akademik të Kolegjit AAB. 

Miqtë e mi, drejtues e pedagogë të këtij Kolegji, Ju falënderoj për ftesën dhe njëkohësisht dua me këtë rast t’ju përgëzoj për arritjet që ka shënuar ndër vite Kolegji AAB duke u bërë një ndër pjesët thelbësore të arsimit në Kosovë.

Të dashur studentë, përzemërsisht ju përgëzoj në këtë ditë të veçantë të jetës suaj. Diplomimi juaj është mjaft domethënës pasi ai përbën kurorëzimin e dijeve të gjithësecilit në drejtimet që keni ndjekur. Jam i bindur se ju sot, krahas gëzimit dhe emocioneve, keni edhe ndjenjën e mirënjohjes ndaj profesorëve tuaj të cilët ju kanë pajisur me dituri, pra me “armën” më të fuqishme për të ecur përpara në karrierën tuaj profesionale dhe në jetë. Arsimi cilësor është për t’u çmuar jashtëzakonisht shumë pasi ai përbën themelet e zhvillimit të përgjithshëm socio-kulturor dhe ekonomik të një vendi.

Sot këtu të gjithë pjesëmarrësit po përjetojmë çaste të mrekullueshme gëzimi, dhe me këtë rast dua t’jua sjell në vëmendje ju studentëve se ky nuk është thjesht një kurorëzim individual i dijeve tuaja por është dhe një investim i jashtëzakonshëm i familjeve tuaja dhe mbi të gjitha, i shoqërisë sonë. Sot prindërit tuaj janë më të lumtur se ju, prandaj një urim të veçantë unë po ua bëj të gjithë prindërve tuaj sepse investimi për edukimin e fëmijëve është investimi më i rëndësishëm që bën çdo prind në jetën e tij dhe për familjen e tij.

Jam i bindur se ambicjet tuaja nuk përfundojnë me këtë diplomim. Ju duhet t’i vazhdoni të gjitha etapat me vendosmëri edhe më tej. Kini guxim dhe besim te vetja, kurrë mos thoni se kjo apo ajo nuk mund të arrihet, me vullnet, me punë e përkushtim, me nder e korrektesë, patjetër arrihet suksesi.

Nga eksperienca ime mund t’ju them se në rrugëtimin tuaj profesional, ju do të hasni sfida nga më të ndryshmet, pra që nuk keni pasur mundësi t’i gjeni nëpër librat tuaj, por kurrë mos u tërhiqni. Me vendosmëri arrihet çdo synim. 

Dhe në mbyllje të fjalës sime do të doja t’ju bëj një porosi.

Në rrugën tuaj që keni përpara, kurrë mos e largoni nga vëmendja familjen dhe atdheun tuaj. Ju uroj suksese në rrugëtimin tuaj akademik e profesional, punoni për veten tuaj, punoni për familjen tuaj, dhe punoni për atdheun tuaj!”

Previous
Previous

Tiranë / Lazim Destani merr pjesë në shënimin e Ditës Arbëreshe

Next
Next

Tetovë / Lazim Destani merr pjesë në aktivitetet e Javës së Veçantë Studimore