Tiranë / Lazim Destani merr pjesë në shënimin e Ditës Arbëreshe

Lazim Destani on stage, photo together with women wearing traditional albanian customs.

Si Anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës, Lazim Destani mori pjesë në shënimin e Ditës Arbëreshe që u mbajt dje në kuadër të aktiviteteve dyditëshe (22 dhe 23 Nëntor) të Samitit III të Diasporës.

Gjatë një ceremonie të posaçme në Tiranë, në Pallatin e Kongreseve të mbushur plot e përplot me bashkatdhetarë të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare e nga diaspora, autoritetet më të larta të shtetit shqiptar përshëndetën tubimin duke dhënë mesazhet e tyre për bashkëpunimin kulturor dhe zhvillimin e vlerave kombëtare në dy anët e Adriatikut dhe kudo ku jetojnë shqiptarët.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se arbëreshët ruajtën gjuhën dhe kulturën kombëtare në shumë shekuj pa kërkuar dhe pa marrë asgjë në këmbim, ndaj duhen mbështetur në mbajtjen gjallë të vlerave kombëtare, si dhe duke vizituar më shpesh nga Shqipëria vendbanimet e tyre në Itali.

Kryeministri Edi Rama foli për një muze të arbëreshve në Krujë, si dhe për fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik me rajonet ku jetojnë arbëreshët në Itali.

Ndërsa ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, theksoi faktin se takimi po mbahet në ditën e Alfabetit shqip të miratuar në Kongresin e Manastirit. Ai tha se arbëreshët kanë bërë përpjekje të mëdha në ruajtjen e gjuhës e kujtesës kombëtare të shqiptarëve, përpjekje të cilat vazhdojnë me përkushtim në katedra të gjuhës dhe letërsisë shqipe në Itali. Ministri Hasani nënvizoi faktin se Shqipëria ka sot mundësi reale të bëjë atë që për pjesën më të madhe të ekzistencës së tij nuk ka pasur mundësinë ta bëjë: t’ju mbështesë me forma e mënyra konkrete.

Ndër pjesëmarrësit në këtë ngjarje që u zhvillua para dite ishin edhe shumë studiues të albanologjisë dhe personalitete shqiptare. Ndërsa pas dite u mbajtën disa panele shkencore ku studiues të njohur të Shqipërisë dhe të komunitetit arbëresh shpalosën kërkimet e tyre mbi traditat, kulturën, artet dhe gjuhën arbëreshe sot dhe në të kaluarën.

Këtu në mjediset e Pallatit të Kongreseve ishte vendosur një ekspozitë fotografike me kostume arbëreshe ku e vizituan qindra pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe nga diaspora jonë, e ardhur nga e gjithë bota.

Ja se ç’thotë në rrjetet e tij sociale Lazim Destani mbi pjesëmarrjen në këtë ceremoni:

Arbëreshët janë pjesa më e veçantë e diasporës sonë. Është ajo pjesë e kombit që për më shumë se pesë shekuj ruajtën me forcë e fanatizëm traditat kombëtare, gjuhën dhe zakonet arbëreshe. Arbëreshët janë krenaria jonë kombëtare, ndaj me shumë kënaqësi mora pjesë në aktivitetin e sotëm, Dita Arbëreshe, mbajtur në kuadër të Samitit III të Diasporës, në Tiranë.

Një aktivitet i organizuar shumë mirë ku figura të spikatura arbëreshe dhe nga diaspora që kanë bërë histori u nderuan gjithashtu me Mirënjohjen ‘Shqiponja e Artë’.

Previous
Previous

Tiranë / Lazim Destani merr pjesë në Samitin III të Diasporës

Next
Next

Prishtinë / Lazim Destani merr pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Kolegjit AAB