Tiranë / Lazim Destani merr pjesë në Samitin III të Diasporës
Samiti III i Diasporës, dje më 23 nëntor, i kishte mbledhur në Pallatin e Kongreseve mbi dy mijë vetë, të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare e nga diaspora. Këtu gjithashtu i pranishëm ishte Lazim Destani si Anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës Shqiptare (KKD).
Ky Samit mbahet nën kujdesin e Kryeministrit të Shqipërisë dhe Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme. Në ceremoninë e hapjes së Samitit të pranishëm ishin Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, Kryeministri Edi Rama, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Lindita Nikolla, Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, si dhe ministra, deputetë e zyrtarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, e nga Lugina e Preshevës.
Të gjithë ata që nga foltorja iu drejtuan auditorit, në fokus kishin rëndësinë e lidhjeve të forta mes diasporës dhe vendeve të tyre të origjinës si dhe raportet e diasporës me politikën e jashtme të Shqipërisë. Diaspora shqiptare, sa i takon marrëdhënieve me vendin e origjinës, vlerësohet si një nga më të mëdhatë dhe më aktivet.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u shpreh se, përtej simbolikës që ka, ky takim dyditor vjen edhe me vetëdijen e plotë për të shkruar një tjetër faqe të re për Shqipërinë dhe shqiptarët. “Samiti është një udhëkryq ku bashkohen të gjithë pavarësisht bindjeve ose përkatësive politike përtej të gjitha përkatësive krahinore edhe vendndodhjes së secilit si shqiptar, që kanë diçka për të thënë e për të dhënë për mënyrën se si duhet t’u qasemi sfidave të botës ku jetojmë, e cila pa diskutim ndikon vendet ku ne jemi dhe njëkohësisht si të bashkojmë më mirë forcat për t’ia dalë në realizimin e ambicieve legjitime dhe objektivave të përbashkëta”, theksoi Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, në fjalën e tij përshëdetëse, tha se diaspora është promotorja më efiçiente e kulturës dhe identitetit tonë, kartëvizita e shqiptarisë në botë. "Sot komunitetet e shqiptarëve që gjenden edhe në vendet më të largëta të botës mishërojnë mbi të gjitha shpirtin e lirë të shqiptarit. Sot qindra mijëra shqiptarë të diasporës janë shndërruar në histori suksesi", tha Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se diaspora shqiptare është simbol i qëndrueshmërisë dhe vlerë e kontributit të çmuar në ekonomi dhe çdo fushë të jetës. “Përderisa jemi mbledhur sot të gjithë këtu, të mos harrojmë se vëllezërit tonë në Medvegjë, Preshevë dhe Bujanoc ende po përballen me diskriminim etnik dhe përballen me spastrim etnik nëpërmjet mjeteve administrative. Sot ju them nga këtu: ju nuk jeni vetëm. Ne jemi me ju për mbrojtjen e të drejtave tuaja. Roli historik i mërgatës shqiptare është i jashtëzakonshëm. Përgjatë kohës sfiduese ata ishin përkrahës të vendosur të aspiratave tona kombëtare”, deklaroi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, tha se Europa nuk mund të ketë paqe, stabilitet e siguri pa Ballkanin Perëndimor.
Ish-kryeministri i Malit të zi, Dritan Abazoviq, deklaroi se Shqipëria dhe shqiptarët sot kanë një vizibilitet dhe respekt ndërkombëtar që kurrë s’do ta kishim menduar më parë.
Pas ceremonisë hapëse, në kuadër të Samitit janë zhvilluar një numër panelesh nga sfera të ndyshme. Këto panele në fokus të tyre kishin nismat që do të mundësojnë rigjallërimin e bashkëpunimit mes vendit amë dhe bashkatdhetarëve tanë nga diaspora.
Lazim Destani, si President i Dhomës së Biznesit të Diasporës si edhe Anëtar i KKD-së, ishte pjesë e panelit ‘Diaspora Shqiptare për Yhvillimin e Qëndrueshëm’, organizuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë si dhe Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe Klimës së Biznesit.
Temat e këtij paneli ishin:
Aktivizimi i kapitalit të Diasporës në ndërtimin e sipërmarrjes shqiptare
Urat lidhëse të Diasporës në zhvillimin e sektorëve prioritarë në Shqipëri
Sipërmarrja inovative dhe Diaspora
Mbi pjesëmarrjen në Samit, Lazim Destani në rrjetet e tij sociale shkruan:
Ishte kënaqësi pjesëmarrja dje në aktivitetet e ditës së dytë të Samitit III të Diasporës. Mbajtja e këtyre aktiviteteve në Tiranë tregoi se tashmë kjo ngjarje e përvitshme është bërë një traditë e bukur dhe me peshë duke mbledhur përfaqësues dhe zyrtarë nga mërgata jonë në gjithë botën, nga trojet tona, si dhe perfaqësues të biznesve tona në mbarë botën.
Edhe këtë vit, qëllimi i Samitit ishte afrimi i diasporës me atdheun dhe rritja e investimeve të diasporës në vendet tona.
Në të njëjtën linjë ishte dhe aktiviteti tjetër në kuadër të samitit, Tryeza “Diaspora Shqiptare për Zhvillimin e Qëndrueshëm”. Edhe këtu u shpalosën ide se si mund të jemi më produktiv, se si në bashkëpunim me institucionet e vendeve tona, mund të investohet më shumë.
Në fjalën time theksova se vendet tona i kanë të gjitha mundësitë dhe resurset t’u ofrojë bizneseve të diasporës standardet dhe nivelin e vendeve tjera perëndimore, me qëllim lehtësimin dhe krijimin e mundësive që nga diaspora të vijë kapitali pa pengesa e burokraci.
Gjithashtu, dhashë dhe shembullin e kompanive që drejtojmë ne, se si potenciali i ekspertëve shqiptarë në diasporë, është shumë e rëndësishme të shfrytëzohet në dobi të vendeve tona.
Samiti i Diasporës uroj të mos mbetet vetëm një aktivitet i bukur mbarëshqiptar, por konkluzionet e tij të kthehen në plan pune për qeveritë e vendeve tona, në të mirë të zhvillimit ekonomik të tyre. Sipas propozimit që bëra, shpresoj qytetet nikoqire të Samiteve të ardhshme të jenë Prishtina, Shkupi apo ndonje qendër tjetër e rajonit tonë.