Tetovë / Këshilli Koordinues i Diasporës merr pjesë në shënimin e 30 vjetorit të Universitetit të Tetovës
Këshilli Koordinues i Diasporës (KKD) ka marrë pjesë në Akademinë solemne për shënimin e 30 vjetorit të Universitetit të Tetovës. Kjo ngjarje solemne shënoi një moment të rëndësishëm për arsimin dhe kulturën shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Kryetari i KKD-së Mark Gjonaj në fjalën e tij përshëndetëse e vlerësoi rëndësinë historike dhe rolin që Universiteti i Tetovës ka luajtur në avancimin e arsimit të lartë dhe forcimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve të këtyre trojeve. “Personalisht jam shumë i prekur sepse kjo është hera e parë që po më jepet mundësia të vizitoj Tetovën, sepse edhe këtu është Shqipëria për mua e për gjithë shqiptarët. Edhe pse kjo është hera e parë që po e vizitoj Tetovën, mua po më mbushet zemra sepse po e vizitoj popullin tim që kemi një gjuhë, një gjak, një histori, një kulturë e një traditë”, tha Gjonaj ndër të tjera.
Lazim Destani, si mbështetës i kahershëm i Universitetit të Tetovës dhe arsimit në përgjithësi, përgëzoi udhëheqësit e kësaj vatre të dijes për arritjet gjatë këtyre tri dekadave. “Është nder dhe kënaqësi të marrësh pjesë në këtë festë të madhe. Unë sot këtu nuk jam vetëm, por kam sjellë me vete Këshillin Koordinues të Diasporës të cilët me kënaqësi janë pjesë e kësaj feste, është kënaqësi të jemi së bashku sot këtu. Uroj Universiteti i Tetovës të vazhdojë rrugën e ngritjes duke u bërë ashtu si universitetet europiane”, tha Destani.
Për pjesëmarrjen e KKD-së në këtë Akademi solemne, Destani në rrjetet sociale shkruan:
Në kuadër të Javës së Diasporës, kësaj radhe Këshilli Koordinues i Diasporës (KKD) dje i nisi aktivitetet në Tetovë për të vazhduar me takime pune për disa ditë në Tiranë. Ishte ftesa nga Universiteti i Tetovës që e solli në Tetovë grupin e KKD-së për të marrë pjesë në Akademinë Solemne për shënimin e 30 vjetorit të këtij Universiteti. KKD si organizim përfaqësues i gjithë diasporës shqiptare me kënaqësi iu përgjigj pozitivisht kësaj ftese që i nderon të dyja palët, pasi diaspora ka merita të veçanta për lindjen dhe rritjen e kësaj vatre të arsimit shqip.
Në këtë Akademi, krahas drejtuesve të Universitetit, ishin të pranishëm ambasadorë të vendeve përkrahëse të këtij universiteti, rektorë të universiteteve të vendit, profesorë e veteranë të arsimit, familjarë të profesor Fadil Sulejmanit - themelues dhe Rektorit të parë të këtij Universiteti, e shumë të tjerë.
Duke e uruar Universitetin në këtë përvjetor jubilar miku im Mark Gjonaj - Kryetar i KKD-së, në fjalën e tij ndër të tjera tha, ‘Mua po më mbushet zemra sepse po e vizitoj popullin tim që kemi një gjuhë, një gjak, një histori, një kulturë e një traditë’.