Tetovë / Anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës vizitojnë Komunën e Tetovës
Në kuadrin e aktiviteteve të Javës së Diasporës, Këshilli Koordinues i Diasporës (KKD) i kryesuar nga Kryetari i Këshillit, Mark Gjonaj ka realizuar një vizitë në Komunën e Tetovës. Grupin e Anëtarëve të KKD-së këtu e ka pritur kryetari i Komunës, Bilall Kasami dhe stafi i tij.
Ky takim shënoi një moment të rëndësishëm për të dyja palët ku si qëllimi kryesor ishte njohja e ndërsjellë si dhe fuqizimi i lidhjeve të KKD me Komunën e këtij qyteti. Gjatë këtij takimi ata gjithashtu zhvilluan bisedime e diskutuan në përgjithësi mbi mundësitë e bashkëpunimit në sfera të ndryshme. Kryetari i KKD Mark Gjonaj si dhe Anëtari i KKD Lazim Destani theksuan rolin e rëndësishëm të diasporës shqiptare në mbështetje të iniciativave që synojnë zhvillimin ekonomik dhe ngritjen e standardit jetësor në vendet e origjinës. Nga ana e tij kryetari i Komunës Bilall Kasami shprehu mirënjohje dhe gatishmëri për bashkëpunim në projekte zhvillimore për ngritjen e mirëqenies së banorëve të kësaj komune.
“Diaspora është një pjesë e rëndësishme e komunitetit tonë, dhe përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm ne mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për Tetovën dhe gjithë rajonin. Këto takime paraqesin hapa konkret drejt përfshirjes më të madhe të diasporës në proceset zhvillimore të komunës sonë“, u shpreh Destani.
I pari i Komunës së Tetovës, Kasami tha, “Është nder i madh të mirëpresim përfaqësuesit e diasporës sonë. Kontributi juaj është i pazëvendësueshëm për zhvillimin tonë shoqëror dhe ekonomik. Së bashku mund të bëjmë më shumë për Tetovën”.
Lidhur me këtë takim, Lazim Destani në rrjetet sociale shprehet:
Krahas pjesëmarrjes në shënimin e 30 vjetorit të Universitetit të Tetovës, së bashku me anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës i kushtuam një vizitë edhe Komunës së Tetovës ku na priti Kryetari i Komunës, Bilall Kasami. Këtu diskutuam mbi mundësitë e shumta të bashkëpunimit në sfera të ndryshme, duke e vënë theksin te zhvillimi ekonomik i qytetit e më gjerë. Në këtë takim nga të dyja palët u theksua nevoja e forcimit të lidhjeve mes diasporës sonë dhe institucioneve në trojet tona.
Me këtë rast, dua ta shpreh kënaqësinë time e të Anëtarëve të KKD-së për vlerësimin dhe respektin që u manifestua ndaj pranisë së KKD, si nga drejtuesit e Universitetit të Tetovës, ashtu edhe nga Kryetari i Komunës së qytetit tonë.
Të bashkuar, jemi gjithmonë më të fortë!