Tiranë / Mbahet Takimi i katërt Vjetor i Këshillit Koordinues të Diasporës

Tiranë / Mbahet Takimi i katërt Vjetor i Këshillit Koordinues të Diasporës

Në kuadër të Ditëve të Diasporës, si dhe për të kremtuar Ditën Kombëtare të Diasporës Shqiptare, 18 dhjetor, nën kujdesin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, u realizuan një seri aktivitetesh të organizuara nga Agjencia Kombëtare e Diasporës dhe Këshilli Koordinues i Diasporës (KKD), të cilat kishin në fokus nderimin dhe vlerësimin e rolit të jashtëzakonshëm të diasporës në kultivimin e identitetit kombëtar.

Ditët e Diasporës paraqesin një moment reflektimi mbi rëndësinë e lidhjeve të fuqishme mes diasporës dhe atdheut, duke na kujtuar se së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të ndritur. Në fokus të aktiviteteve ishte Diaspora dhe roli i saj i rëndësishëm në zhvillimin e vendit.

Aktivitetet e organizuara të këtyre ditëve përfshinë:

  • Ekspozita e veshjeve tradicionale shqiptare – Një pasqyrë e pasurisë kulturore që shqiptarët e ruajnë dhe e trashëgojnë me krenari. Nga punimet artizanale deri te simbolikat kulturore, kjo ekspozitë shërbeu si një homazh për traditat tona dhe si një urë lidhëse mes brezave.

  • Takime të nivelit të lartë – Anëtarët e diasporës patën mundësinë të diskutojnë dhe ndajnë vizionet e tyre me personalitete të larta shtetërore, përfshirë Presidentin e Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, Kryetaren e Kuvendit, Sh.T.Z. Elisa Spiropali, Ministrin për Marrëdhëniet me Parlamentin, z. Taulant Balla, dhe Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, z. Ilirjan Celibashi.

  • Koncerti Gala “Arti në Diasporë” – Një tribut për legjendën e muzikës shqiptare, Tefta Tashko Koço, erdhi nëpërmjet artistëve të talentuar nga Shqipëria, trevat dhe diaspora. Interpretimet virtuoze të Almira Emirit, Adelina Palojës, Feride Istogut, të shoqëruara me prezantimet e spikatura të Balina Bodinakut, si dhe vallet e kërcyera nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, përveç atmosferës emocionuese, përcollën mesazhin mbi rolin dhe kontributin që çdo shqiptar mund të japë për atdheun e tij.

Tiranë / Mbahet Takimi i katërt Vjetor i Këshillit Koordinues të Diasporës

Takimi i katërt vjetor i Këshillit Koordinues të Diasporës, në të cilin morën pjesë Kryeministri, Edi Rama, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës, Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, Ministri i Financave Petrit Malaj, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Taulant Balla, Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Lira Pipa, Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës Liza Gashi, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, Kryetari i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi, Kryetari i Nënkomisionit Parlamentar për Diasporën dhe Migracionin Lavdrim Krashi, drejtues të institucioneve që kanë si pjesë kryesore të punës së tyre marrëdhëniet me diasporën, drejtuesit e RTSH, Bashkimit të Dhomave të Industrisë dhe Tregtisë, si dhe drejtuesit e Dhomës së Biznesit të Diasporës.

Shqipëria e konsideron diasporën si partner dhe aset. Mbledhjet vjetore të KKD-së shërbejnë si ura lidhëse dhe bashkëpunimi më të afërt mes institucioneve shqiptare dhe komuniteteve në Diasporë, për t’u njohur me problematikat e tyre dhe për t’u ofruar mbështetje.

Tiranë / Mbahet Takimi i katërt Vjetor i Këshillit Koordinues të Diasporës

Në këtë mbledhje të 4-t vjetore u diskutua për ecurinë e deritanishme të punës së KKD-së, bashkëveprimi mes institucioneve si Agjencia Kombëtare e Diasporës, Qendra e Botimeve të Diasporës, Qendra për Studime dhe Publikime për Arbëreshët, Instituti i Statistikave.

U diskutuan mënyrat konkrete për të ndërvepruar e forcuar lidhjet me diasporën si shtyllë e zhvillimit ekonomik e promovimit të vlerave tona në botë, fuqizimin e institucioneve që pjesë të punës së tyre kanë marrëdhëniet me diasporën.

U diskutua rreth projekteve që synojnë ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar, puna dhe hapat që duhet të ndiqen për realizimin e votimit të Diasporës në zgjedhjet e vitit 2025, mbështetjen e të rinjve dhe zhvillimin ekonomik, kulturor dhe arsimor, arritjet e 2024 dhe planet për vitin e ardhshëm 2025, që do të jetë integrimi i diasporës, zgjerimi i mundësive për investime dhe forcimi i një rrjeti global shqiptar që mbështet zhvillimin kombëtar dhe promovon vlerat tona në botë.

Tiranë / Mbahet Takimi i katërt Vjetor i Këshillit Koordinues të Diasporës

Nga pjesëmarrja në këtë Takim, Lazim Destani - Anëtar i KKD, në rrjetet e tij sociale shprehet:

Për dy ditë rresht pata kënaqësinë që si anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës (KKD) së bashku me gjithë ekipin të zhvillonim aktivitete e takime pune në Tiranë. Kjo është ngjarja vjetore dhe qendrore e KKD-së që njihet si Java e Diasporës dhe që përkon me datën 18 dhjetor, që është Dita Kombëtare e Diasporës.

Aktivitetet e sivjetme nisën në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, ku anëtarët e KKD-së vizituan një ekspozitë me veshje tradicionale shqiptare dhe u njohën nga afër me ekspozitën lëvizëse, e cila reklamon veshjet tradicionale shqiptare në mbarë vendin.

Pas kësaj vizite, ne realizuam takim me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, nga i cili u njohëm me ecurinë si dhe përpjekjet që po bëhen me qëllim që diasporës sonë t’i lehtësohet mundësia praktike për të votuar në zgjedhjet e arshme parlamentare më 11 maj 2025. Mundësimi i votës së diasporës shqiptare ka qenë lajmi më i mirë i këtij viti për ne të gjithë anëtarët e KKD-së dhe shqiptarët në mbarë botën, dhe kjo ka qenë kërkesa jonë e vazhdueshme, që nga krijimi i KKD. Me kryetarin Celibashi, u dakordësua dhe koordinimi mes KQZ-së e KKD-së me qëllim zhvillimin e një fushate intensive informimi dhe edukimi sa i përket regjistrimit të votuesve nga jashtë, për të votuar për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës.

Më pas, agjenda jonë vijoi me një vizitë në Presidencë, ku u pritëm nga Presidenti Republikës së Shqipërisë, Z.Bajram Begaj, i cili shprehu mirënjohje dhe vlerësime të veçanta për kontributin e KKD në dobi të kombit shqiptar.

Anëtarëve të KKD-së një pritje miqësore u ofroi dhe Kryetarja e Kuvendit, Znj. Elisa Spiropali, e cila u shpreh se e sheh diasporën si gur themeli për shtetin dhe kombin tonë.

Dita e parë u mbyll me një aktivitet kulturor “Arti në Diasporë”, për të vijuar ditën e dytë me takimin kryesor të KKD-së me Kryeministrin Rama dhe Ministrin Igli Hasani. Kreu i qeverisë dhe Ministri i Jashtëm Hasani shprehën angazhimin e tyre, si për realizimin me rigorozitet të votës së diasporës, ashtu dhe për çështje tjera të rëndësishme si, arsimi shqip dhe shkenca në diasporë.

Në këtë moment, gjej rastin t’i uroj gjithë shqiptarët e margatës sonë, - Gëzuar Ditën Kombëtare të Diasporës!

Previous
Previous

Gjermani / Intervistë e Lazim Destanit, flet për votën e diasporës në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit në Republikën e Shqipërisë

Next
Next

Tetovë / Këshilli Koordinues i Diasporës merr pjesë në shënimin e 30 vjetorit të Universitetit të Tetovës