Gjermani / Intervistë e Lazim Destanit, flet për votën e diasporës në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit në Republikën e Shqipërisë

lazim destani sitting in chair

Si anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës, Lazim Destani dje ka dhënë një intervistë për Diaspora Today - një platformë informimi me qendër në Gjermani. Ai ka folur për rëndësinë e votës së emigrantëve (shtetas të Republikës së Shqipërisë) në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 Majit. Në historinë e shtetit shqiptar kjo është hera e parë kur shtetasve shqiptarë u është krijuar mundësia të votojnë nga jashtë atdheut, pra nga vendet ku ata jetojnë e punojnë anembanë botës. Një arritje e këtillë është bërë e mundur në saje të kërkesave të shumta nga Diaspora, punës së bërë nga institucionet shtetërore të Republikës së Shqipërisë, por edhe falë niveleve të zhvillimit që ka arritur teknologjia e informacionit dhe komunikimit.

Janë mbi një milion shtetas shqiptarë me të drejtë vote që jetojnë e punojnë jashtë atdheut të tyre. Pë të votuar më 11 Maj, ata duhet paraprakisht të regjistrohen te regjistri i votuesve nga jashtë vendit, ndërsa afati i regjistrimit ka nisur më 11 Janar dhe mbyllet më 4 Mars 2025.

Në vijim, intervista e Lazim Destanit për platformën e informimit Diaspora Today:

  • Zoti Destani, është hera e parë që shtetasit shqiptarë që ndodhen jashtë Shqipërisë do të votojnë nga vendet ku ata jetojnë e punojnë. Si u arrit kjo?

L. Destani: Regjistrimi dhe votimi i mërgatës shqiptare është një çështje të cilës duhet t’i kushtojmë vëmendje të jashtëzakonshme të gjithë ne së bashku. Më në fund po realizohet ajo që qeveritë dhe institucionet shqiptare kanë premtuar për dekada të tëra – që mërgatës t’i mundësohet e drejta e votimit nga jashtë vendit. Është bërë shumë punë për të arritur deri këtu. Janë individë, grupe e shoqata të ndryshme që për vite të tëra kanë punuar në këtë drejtim. Përpjekjet e të gjithëve meritojnë mirënjohje, përfshirë edhe angazhimin e Këshillit Koordinues të Diasporës. E drejta e votës është e drejtë kushtetuese, pra është diçka që është dashur të realizohet edhe më parë. Por pavarësisht vonesave, besoj se realizimi i kësaj të drejte paraqet një ndryshim të shëndetshëm për demokracinë dhe të ardhmen e Shqipërisë. Vota e mërgatës sjell një frymë të re pozitive për zhvillimin dhe përparimin e atdheut.

  • Ju jeni anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës që përfaqësoni diasporën shqiptare në Gjermani. Për sa i takon zgjedhjeve në 11 Majit në Shqipëri, sa është interesimi i shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Gjermani, apo edhe në vendet tjera përreth?

L. Destani: Është shumë i rëndësishëm roli i mediave dhe i rrjeteve sociale, por dhe i institucioneve të shtetit. Në këtë fazë mediumet luajnë rolin më të rëndësishëm. Ato duhet të jenë sa më pranë mërgatës duke e potencuar rëndësinë e votimit e duke sjellë informacion të plotë e të qartë mbi domosdoshmërinë dhe mënyrën e regjistrimit, sepse regjistrimi përbën kushtin për të votuar më 11 Maj. Po e theksoj këtë pasi vetëm ata që regjistrohen do të mund të votojnë nga jashtë vendit. Ne po punojmë për informimin dhe regjistrimin e një numri sa më të madh të votuesve nga diaspora. Votimi i mërgatës është jashtëzakonisht i rëndësishëm, madje i pazëvendësueshëm për zhvillimin ekonomik e të përgjithshëm të vendit.

Ne në përgjithësi shpesh i lëmë gjërat për momentin e fundit, por në këtë rast, sipas dinamikës së deritashme të regjistrimit, të dhënat nga KQZ tregojnë se interesimi i mërgatës është bukur i lartë. Shumë prej tyre janë regjistruar që në ditët e para të hapjes së regjistrimit. Gjithë ata që akoma nuk janë regjistruar, i ftoj ta bëjnë këtë sa më parë në mënyrë që më 11 Maj ta kenë mundësinë t’i votojnë të preferuarit e tyre.

  • Shumë mërgimtarë kanë probleme me pasaportat dhe letërnjoftimet e tyre të skaduara. Si mund të zgjidhet ky problem pasi koha për rinovimin e tyre është shumë e shkurtër?

L. Destani: Shumë mirë që e shtruat këtë pyetje. Është i madh numri i pjesëtarëve të diasporës me pasaporta dhe letërnjoftime të skaduara. Ky ka qenë një problem që kërkonte zgjidhje, prandaj shumë organizata nga radhët e diasporës, por edhe Këshilli Koordinues i Diasporës, kërkonin nga qeveria e R. së Shqipërisë që diasporës t’i lejohet pjesëmarrja në votime edhe me dokumenta identifikimi të skaduara. Pra është kërkuar kjo pasi koha për procedurën e rinovimit të dokumentave ka qenë shumë e shkurtër.

Dhe ja para pak çastesh më erdhi lajmi se Qeveria e Shqipërisë sot e ka miratuar kërkesën për ta lejuar votimin e pjesëtarëve të diasporës edhe me karta identiteti të skaduara. Kjo sigurisht shumë votuesve nga jashtë u ka sjellë lehtësira duke ua mundësuar regjistrimin brenda afatit, deri më 4 mars, pra për të votuar më 11 Maj.

  • Si qëndron puna me të rinjtë e diasporës, sidomos ata që kanë arritur moshën dhe votojnë për herë të parë, duket se ka interesim të madh?

L. Destani: Po, është e vërtetë. Sipas informacionit që kam, i lartë është numri i të rinjve që po regjistrohen për të votuar në këto zgjedhje, dhe ky fakt na gëzon. Në historinë e shtetit shqiptar kjo është hera e parë që diaspora shqiptare do të mund të votojë nga jashtë vendit. Tashmë nuk është nevoja të bëhen qindra e mijëra kilometra rrugë për të votuar në atdhe. Përqafimi i kësaj mundësie nga të rinjtë e diasporës është entuziazmues për ne të gjithë. Ne mërgimtarët shqiptarë brez pas brezi i kemi ruajtur të forta lidhjet tona me atdheun, dhe sigurisht kënaqemi kur e shikojmë rininë tonë në po këtë rrugë. Interesimi i rinisë sonë për të votuar tregon dashurinë që ata kanë për vendin e origjinës. Vota e tyre tregon se kjo rini kërkon të jetë faktor formësues në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë dhe më të ndritur për atdheun, dhe sigurisht edhe për vetë mërgatën. Unë dua t’i inkurajoj gjithë të rinjtë të bëhen pjesë e këtij momenti historik, të regjistrohen e të votojnë, kjo e ndihmon zhvillimin e demokracisë dhe ekonominë e atdheut.

  • Zoti Destani, pse është me rëndësi votimi i mërgatës, cilat janë përparësitë, të mirat që sjell?

L. Destani: Vota është e drejtë kushtetuese e çdo shtetasi shqiptar, andaj çdo shtetas shqiptar që jeton në mërgatë dua ta inkurajoj që ta realizojë këtë të drejtë. Ne, Këshilli Koordinues i Diasporës, e mbështesim fuqishëm realizimin e kësaj të drejte. Vota e mërgatës është votë për zhvillimin e atdheut dhe është votë për zhvillimin e demokracisë. Qeveria e Republikës së Shqipërisë si dhe autoritete nga diaspora jonë kanë punuar shumë për realizimin e kësaj të drejte. Diaspora tani duhet të votojë duke dhënë kontributin e saj edhe në këtë mënyrë. Diaspora meriton të jetë pjesë e formësimit të së ardhmes së atdheut.  

Informacioni për mënyrën e regjistrimit, publikuar nga Ministria e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, gjendet në këtë link.

Previous
Previous

Prishtinë / Lazim Destani, në ceremoninë shtetërore për Ditën e Pavarësisë së Kosovës

Next
Next

Tiranë / Mbahet Takimi i katërt Vjetor i Këshillit Koordinues të Diasporës