Prishtinë / Lazim Destani, në ceremoninë shtetërore për Ditën e Pavarësisë së Kosovës

Prishtinë / Lazim Destani, në ceremoninë shtetërore për Ditën e Pavarësisë së Kosovës

Më 17 shkurt 2008 Kuvendi i Republikës së Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Ashtu si në përvjetorët e kaluar, e gjithë Kosova me dinjitet e krenari e festoi këtë datë historike për vendin.

Agjenda shtetërore për shënimin e Ditës së Pavarësisë nisi me Ngritjen e Flamurit të Kosovës duke vazhduar më tej me Homazhet te Monumenti i të Pagjeturve, te varri i Presidentit historik Dr Ibrahim Rugova, te varri i veprimtarit Adem Demaçi, pastaj te Kompleksi Memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz, si dhe te Monumenti ‘Heroinat’.     

Lazim Destani, i ftuar për të marrë pjesë në këtë ceremoni shtetërore, me respekt, nderim e kënaqësi e ndoqi nga afër këtë agjendë me aktivitetet emocionuese festive.    

Parakalimi i kuadrateve të Ushtrisë e të Policisë së Kosovës ishte ngjarja madhështore që u solli emocion e krenari shumë qytetareve që i kishin mbushur trotuaret e bulevardit të kryeqytetit për ta ndier nga afër atmosferën festive të Ditës së Pavarësisë së Kosovës.

Prishtinë / Lazim Destani, në ceremoninë shtetërore për Ditën e Pavarësisë së Kosovës

“Përkulemi me respekt të thellë për familjen Jashari dhe të gjithë dëshmorët e kombit, të gjithë dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e martirët që e bënë këtë ditë të mundshme me sakrificën e tyre të jashtëzakonshme. Historia jonë nuk do të ishte e njëjtë pa mbështetjen e aleatëve tanë, falenderimi ynë i përjetshëm shkon për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për NATO-n, për shtetet europiane dhe demokracitë gjithandej botës sikur për të gjithë miqtë ndërkombëtarë që qëndruan me ne në momentet më të vështira dhe na ndihmuan që ta bëjmë të mundur lirinë dhe pavarsinë”, tha në fjalën e saj Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Prishtinë / Lazim Destani, në ceremoninë shtetërore për Ditën e Pavarësisë së Kosovës

“Nën ritmin e hapave të këmbëve të ushtarëve e policëve tanë sot dëgjojmë hapat e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe hapat e rrugës sonë të përbashkët me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e NATO-s të nisur më 1999 por e cila do të vazhdojë deri në anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe Bashkimin Europian”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Udhëheqësit e Kosovës ritheksuan sakrificën e popullit dhe mbështetjen e aleatëve si thelbësore në shënimin e kësaj dite. Ndërsa udhëheqës të vendeve të ndryshme si ShBA, Franca, Gjermania, Italia dhe shumë të tjerë në urimet e tyre u zotuan për mbështetjen e Kosovës në përparimin drejt integrimit euroatlantik, fuqizimin e demokracisë si dhe qëndrueshmërisë në rajon.

Prishtinë / Lazim Destani, në ceremoninë shtetërore për Ditën e Pavarësisë së Kosovës

Përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, Lazim Destani shprehet:

Dje në Prishtinë, në festën e Pavarësisë së Kosovës, me ndjenjë të veçantë gëzimi e krenarie ndoqa aktivitetet nga ceremonia shtetërore në nderim të 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Për të shënuar këtë datë historike për Kosovën e për gjithë rajonin tonë, ndër ngjarjet e para të agjendës ditore ishin parakalimet mbresëlënëse e plot emocion të kuadrateve të Ushtrisë e të Policisë së Kosovës në sheshin “George Bush” e në bulevardin e kryeqytetit. Këto parakalime u ndoqën nga qindra mijëra qytetarë të Kosovës, dhe si në çdo përvjetor, edhe nga personalitete të larta shtetërore.

Për t’u veçuar nga aktivitetet e pasditës ishte Pritja Shtetërore nga krerët e shtetit të Kosovës. Këtu morën pjesë politikanë, përfaqësues të Trupit Diplomatik në Kosovë, si dhe përfaqësues institucionesh, jo vetëm nga Kosova por edhe nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shqipëria e Lugina e Preshevës. Në këtë pritje pata kënaqësinë të takohem e të shkëmbejmë urime me Presidenten Vjosa Osmani, Kryeministrin Albin Kurti, me Presidentin e Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj, e me figura të shumta nga të gjitha trevat tona.

Ndër aktivitetet për shënimin e kësaj ngjarje historike, gjithashtu pata kënaqësinë e pjesëmarrjes në festën që kishte organizuar Aleanca Kosovare e Bizneseve. Këtu të pranishëm ishin shumë përfaqësues nga bizneset kosovare, si dhe nga rajoni e Diaspora.

17 Shkurti është dhe do të mbetet një nga datat më të rëndësishme të arritjeve historike kombëtare. Është një festë që na bën t’i kujtojmë me krenari e nderim përpjekjet shekullore dhe sakrificat e popullit tonë për liri e pavarësi. Është një ditë kur me nderim e përulje i kujtojmë dëshmorët e shumë brezave tanë që ranë në fushën e nderit për lirinë e atdheut.

Gëzuar 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së Kosovës!

Next
Next

Gjermani / Intervistë e Lazim Destanit, flet për votën e diasporës në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit në Republikën e Shqipërisë