Oda Ekonomike vlerëson Lazim Destanin për mbështetjen e bizneseve në Diasporë
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore ka mbajtur ditën e sotme eventin e përvitshëm “Top 100™”. Emër ky i cili tashmë është edhe i mbrojtur me markë tregtare. Në këtë ngjarje ishin të pranishëm figura eminente të biznesit dhe politikës nga vendi dhe rajoni. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe presidenti i Nderit i Dhomës së Biznesit të Diasporës, sipërmarrësi dhe filantropi Lazim Destani i cili u vlerësua edhe me çmimin e mirënjohjes për afirmimin e biznesit shqiptar në Diasporë.
“Me këtë rast, urimet e mia më të mira ua përcjell njëqind kompanive të përzgjedhura si më të suksesshmet. Gjithashtu dua ta përgëzoj Odën për rolin e saj dhe kontributin që jep në mbështetje të bizneseve në hapësirën që ajo mbulon. Të pranoj mirënjohje nga OEMVP me akordimin për afirmimin e biznesit shqiptar në Diasporë, për mua është edhe një motivim shtesë në kontributin tim në këtë drejtim” u shpreh ndër të tjera në fjalën e tij Z. Destani.
“TOP 100™” këtë vit shpalli Top 5 Kompanitë më të suksesshme ku Top 5 u shpall kompania “Pofix”, më pas Top 4 “Dauti Komerc”, Top 3 “Pucko Petrol” përcjellë nga Top 2 “ATS Group”. Fituesi i vendit të parë për këtë edicion ishte kompania “Kipper”.
Ndër tjera, u dhanë edhe çmime si çmimi për partneritet më të sukseshëm i cili i takoi kompanisë “Vardar-Dollomit”, çmimi për biznesin më të mirë të udhëhequr nga grua i cili këtë vit i takoi “Dogain Air” me në krye Merita Ramadani Alimi. Poashtu u nda një çmim të cilin OEMVP e ndau për herë të parë e ajo është çmimi për “Eko Investime” i cili i takoi kompanisë “International Fresh Food”. Ndërsa çmimi për rritje më të shpejtë në 3 vitet e fundit i me meritë e mori kompania “Dekor Tekstil”.
Mirënjohje iu nda edhe Erdin Osmanit për transformimin e biznesit në përshtatje me rrethanat e reja të krijuara nga Kovid 19.
OEMVP prej 11 vitesh organizon këtë ngjarje ku shpall kompanitë më të suksesshme anëtare të saja, ndërsa këtë vit Top 100™ kompanitë realizuan mbi 920 milion euro qarkullim, rreth 73 milion euro neto fitim, kanë punësuar mbi 9000 persona dhe kryen investime prej rreth 75 milion euro.