Lazim Destani, në Samitin e III të Grave të Biznesit të Diasporës
Nën organizimin e Dhomës së Biznesit të Diasporës dje u mbajt në Tiranë Samiti i III i Grave të Biznesit të Diasporës. Tema e këtij viti “Gruaja për Zhvillim të Qëndrueshëm”, mblodhi bashkë gra të suksesshme në profesione të ndryshme, të cilat e ushtrojnë punën e tyre në vende të ndryshme të botës.
Krahas drejtuesve të Dhomës së Biznesit të Diasporës, në Samit ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve shtetërore nga Shqipëria e Kosova si dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare që promovojnë rolin e gruas në shoqëri.
Nënkryetarja e dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare Znj.Elisabeta Katiaj në fjalën e saj hapëse tha se ky samit i tretë synon të ofrojë mbështetje për sipërmarrëset e Diasporës dhe komunitetin lokal të biznesit.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në fjalën e tij vuri në dukje se investimet dhe reformat e kanë bërë Tiranën një qytet ku një grua mund të bëjë biznes më lehtë.
Presidenti i Nderit i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, Lazim Destani, në fjalën e tij përshëndetëse tha:
“Gjatë punës dhe eksperiencës sime mbi 50-vjeçare në Europë e në mbarë botën, kam takuar e njohur zonja fort të nderuara, të cilat kanë qenë një nga shtyllat kryesore të shoqërisë sonë dhe ato po e bëjnë shoqërinë tonë më të qëndrueshme dhe më të fortë.”
Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, Znj. Sonila Hysi në fjalën e saj prezantoi kontributin e dhënë nga Agjencia në forcimin e rolit të gruas në diasporë. Projekt-propozimet, të cilat synojnë dhe kanë prioritet fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri, në biznes, në kulture, duke vendosur një theks të veçantë në promovimin e aftësive sipërmarrëse të grave në diasporë, krijimin e një klime favorizuese për rritjen e numrit të grave sipërmarrëse si dhe stimulimin e investimeve nga diaspora nëpërmjet ekosistemit të startup-eve.
E pranishme në këtë Samit zv. Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Artemis Malo ndër të tjera tha:
“Sot ne jemi mbledhur këtu për dy arsye madhore. Për të bashkuar forcën femërore në lindje dhe evoluim të produkteve inovative. Por edhe për të përqafuar njëra tjetrën në rrugëtimet tona, me qëllimin e përbashkët, promovimin dhe rrjetëzimin e suksesshëm të rolit të gruas në diasporën shqiptare.”
Zv.Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Liza Gashi, në fjalën e saj vuri theksin tek fuqizimi i rolit të gruas në sferën publike. Gashi u shpreh se migrimi është një sfidë globale por në rastin e vendeve tona është një sfidë që mund të tejkalohet duke bashkëpunuar ngushtë me gratë e Diasporës. Përmes mbështetjes e bashkëpunimit, ato mund ta ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre e jo duke u larguar, tha Gashi ndër të tjera.
Objektivi i përgjithshëm i Samitit ishte promovimi i lidershipit të gruas, përmirësimi i dialogut publik-privat për mundësi të reja angazhimi dhe rritja e rolit të gruas si drejtuese biznesi. Pjesëmarrësit përfituan edhe informacione për tregje të reja, mundësi biznesi dhe investimi, ndërsa nuk munguan as këshillat dhe mbështetja lidhur me çështje që prekin aktualisht bizneset e tyre dhe gjithashtu të zbulojnë se si të rrisin bizneset e tyre.