Lazim Destani vlerësohet me titullin Gjeneral i Paqes
Në mbrëmjen gala ku ishin të pranishëm qindra pjesëmarrës, Presidenti i Nderit i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, filantropi dhe biznesmeni Lazim Destani mbrëmjen e djeshme më 18 Dhjetor, në Ditën Kombëtare të Diasporës, është vlerësuar me titullin “Gjeneral i Paqes”.
Ky titull iu akordua z. Destani nga Misioni Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet me motivacionin: Për përkushtimin dhe kontributin e çmueshëm në sferën e humanitetit, për frymëzimin e bashkëjetesës dhe paqes ndërkomunitare, për ndërmarrësinë e suksesshme si principal i Grupit të bizneseve të tij familjare, si lider i dalluar i shoqërisë civile dhe si promotor i misioneve për Paqe dhe Prosperitet për gjithë njerëzimin.
Guvernatori i Misionit Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet, Dr. Shefki Hysa, foli mbi gjurmët që kanë lënë shqiptarët kudo në Botë, ndërsa ftoi Kryegjyshin Botëror, Baba Edmond Brahimaj, për t’i dorëzuar Lazim Destanit medaljen e artë “Gjeneral i Paqes”.
Titulli iu dorëzua në kuadër të aktivitetit të përvitshëm “Bright Minds Albania” organizuar nga Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare dhe Unioni i Sipërmarrësve të Rinj, me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Diasporës.
Me rastin e pranimit të këtij titulli, z. Destani, para të pranishmëve u shpreh:
“Të nderuar miq, kolegë nga diaspora shqiptare, anëtarë të Misionit për Paqe dhe Prosperitet, të nderuar të pranishëm,
E kam ditur kurdoherë që t’i shërbesh atdheut dhe kombit është nder dhe lavdi. Gjithmonë e kam pasur në vëmendje se të ndihmosh njerëzit, është mirësi. Por, t’i shërbesh paqes për vendin tënd, për kombin tënd dhe për mbarë njerëzimin është hyjnore.
Për këtë arsye, sot ndihem krenar që vlerësohem nga Misioni për Paqe dhe Prosperitet.
“Paqja fillon me një buzëqeshje”, thoshte Nënë Tereza, Shenjtorja shqiptare që i tregoi botës se si duhet të ecim përpara e të punojmë për paqen.
Fakti që ky Mision gjendet me seli edhe në Tiranë tregon se shqiptarët në rajon janë faktor stabiliteti dhe me rol shumë të rëndësishëm për forcimin e paqes në rajonin tonë, por edhe më gjerë.
Duke mos dashur të zgjatem më shumë, uroj më të mirën për gjithë ju të pranishëm, për vendet tona, për shqiptarët kudo që janë dhe për gjithë njerëzimin.
Uroj paqe në familjet tona, në marrëdhëniet me njëri-tjetrin e në marrëdhëniet mes popujve në mbarë botën.
Vetëm kështu mund të ketë paqe dhe përparim, pra pikërisht ashtu siç është madje roli dhe motoja e Misionit Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet”.