Lazim Destani ndihmon popullatën në zonat e përmbytura në Kosovë
Reshjet e mëdha të këtyre ditëve në Kosovë lanë pas shumë toka e vendbanime të përmbytura. Shumë biznese e ferma të ngritura me shumë mund morën fund përnjëherë, ndërsa shumë familje mbetën jashtë shtëpive të tyre.
I prekur nga pasojat që kjo fatkeqësi natyrore i solli popullatës së kësaj ane, Lazim Destani ishte ndër të parët që u gjend pranë familjeve që në ato rrethana të vështira, mbështetjen e kishin më se të nevojshme. Ai menjëherë aktivizoi një skuadër pune nga kompania e tij Ecolog për të ndërmarrë aksion në mbështetje të popullatës me ndihma në ushqime, artikuj higjienik dhe batanie për familjet e zonave të përmbytura.
Karvani i kamionëve me ndihma u nis drejt Skënderajt, Mitrovicës dhe Klinës, komuna këto të cilat më së shumti pësuan dëme materiale nga vërshimet e ditëve të fundit. Pakot me ndihma do të dorëzohen te shtabet emergjente të komunave, pastaj ato do t’u shpërndahen familjeve në zonat e dëmtuara nga vërshimet.
Kryetari i Komunës së Skënderajt, Fadil Nura, e ka falënderuar pronarin e kompanisë “Ecolog” z. Lazim Destani për solidaritetin dhe mbështetjen e treguar në këtë situatë të vështirë që po kalon popullata e Skënderajt.
“Fillimisht dua të them që Lazim Destani është ndër njerëzit e parë që më ka kontaktuar sapo kanë ndodhur vërshimet, kemi qenë në vazhdimësi në kontakt, ky eshtë një humanitet i madh që zoti Destani e ka treguar si gjithmonë dhe e falënderoj në emër të gjithë qytetarëve të Skënderajt për këtë kontingjent humanitar që solli sot”, tha Nura.
Karvani i kamionëve me ndihma pas Skenderajt ka vazhduar për në Klinë ku qindra pako me ndihma i janë dorëzuar Komunës së Klinës.
Me këtë rast edhe Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka falënderuar pronarin e kompanisë “Ecolog” z. Lazim Destani për këtë ndihmë aq shumë të nevojshme në këto ditë të vështira.
“Pas reshjeve dhe vërshimeve, tani po vjen momenti që duhet të merremi me pasojat. Qytetarë të shumtë, mbi 500 familje janë paraqitur si të prekura nga vërshimet. Kjo është ndihmë e madhe që vjen nga një biznesmen yni, vëlla nga Maqedonia e Veriut, dhe unë në emër të qytetarëve të komunës së Klinës i falënderohem shumë Lazim Destanit dhe gjithë atyre që kanë ndihmuar në këtë situatë. Kjo është një ndihmë e madhe në këto momente të vështira”, tha Elezaj.
Pas Klinës, karvani me ndihma ka vazhduar rrugën drejt qytetit të Mitrovicës ku ndihmat për familjet e dëmtuara të kësaj ane i ka pranuar Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza.
“Ndihmesë jashtëzakonisht e vlefshme, shfrytëzoj rastin që emër të Komunës së Mitrovicës të falënderoj z. Destani dhe kompaninë Ecolog për këtë ndihmë aq shumë të nevojshme e të mirëseardhur për familjet e prekura nga vërshimet. Sigurisht që së bashku do t’ia dalim ta tejkalojmë këtë situatë”, tha Hamza.