Lazim Destani takon Konsullin e Kosovës: Mundësi bashkëpunimi për investime
Biznesmeni dhe filantropi Lazim Destani në Dyzeldorf zhvilloi një takim me Konsullin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, z. Arjan Kashtanjeva. Gjatë këtij takimi ata diskutuan mbi tematika të ndryshme të zhvillimeve në Kosovë dhe mundësinë e bashkëpunimit për investime. Në një postim në facebook Presidenti i Nderit të Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare shkruan se ndër të tjera e ka informuar konsullin edhe për aktivitetetin e Këshillit Koordinues të Diasporës si dhe të Dhomës së Biznesit të Diasporës.
Postimi i plotë
Sot pata kënaqësinë që në zyrat tona në Dyzeldorf ta pres për takim në këtë qytet Konsullin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, z. Arjan Kashtanjeva.
Në këtë takim ne diskutuam e shkëmbyem mendime mbi tema të ndryshme lidhur me diasporën tonë në Gjermani , si dhe mbi situatën aktuale në Kosovë. Gjatë bisedës sonë, z. Kashtanjeva më njoftoi mbi punën dhe aktivitetet e Konsullatës në përgjithësi, ndërsa unë e njoftova atë mbi aktivitetet që zhvillon Këshilli Koordinues i Diasporës si dhe Dhoma e Biznesit të Diasporës.
Duke qenë se në këtë rajon të Gjermanisë (Nordrhein-Westfalen) jetojnë dhe veprojnë shumë afaristë të suksesshëm nga diaspora jonë, e pamë të nevojshme që takimet mes nesh të jenë më të shpeshta në mënyrë që të jemi të koordinuar mirë për aktivitetet tona të caktuara në të ardhmen.