Lazim Destani, pjesë e aktivitetit për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Remitancave

Sot më 16 qershor, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Remitancave, në Tiranë u mbajt aktiviteti i organizuar nga Agjencia Kombëtare e Diasporës me mbështetjen e Bankës së Shqipërisë dhe Ministrit të Shtetit për Diasporën. Ngjarja u organizua në nderim të përpjekjeve të qindra-mijëra migrantëve shqiptarë, të cilët me të ardhurat e tyre sigurojnë një të ardhme më të mirë për familjet e tyre.

Në këtë aktivitet, në rolin e tij si Anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës, Lazim Destani ishte i ftuar për të qenë pjesë e Panelit të diskutimeve mbi temën: Identifikimi dhe promovimi i politikave, programeve dhe praktikave më të mira të institucioneve financiare në lidhje me forcimin e kontributit të emigrantëve.

Në vijim, fjala e plotë e Lazim Destanit, e paraqitur përmes platformës online.  

“Ndihem i nderuar të jem i pranishëm në ngjarjet si kjo, që lidhen me diasporën, pasi për një periudhë të gjatë edhe vet jam pjesë e saj.

Është një rast i mirë që sot,në Ditën Ndërkombëtare të Remitancave, të reflektojmë mbi ndikimin e remitancave në zhvillimin ekonomik e shoqëror.

Roli dhe kontributi i diasporës shqiptare gjithmonë ka qenë dhe vazhdon të jetë i jashtëzakonshëm për zhvillimet e përgjithshme në vendet tona. Ndërsa kur është fjala te zhvillimi ekonomik i vendeve tona, remitancat përbëjnë mbase burimin kryesor.

Në të kaluarën remitancat kanë qenë në nivele më të ulëta dhe janë përdorur kryesisht për konsum nga familjet, ndërsa sot ato janë në nivele shumë më të larta. Prandaj është shumë e rëndësishme që ky kapital të kanalizohet, duke i gjetur rrugët dhe mekanizmat për ta bërë atë sa më efektiv, si për familjet ashtu dhe për ekonominë e vendit dhe shoqërinë në përgjithësi.

Në takime të ndryshme me afaristë të suksesshëm në diasporë, kemi diskutuar rreth idesë për themelimin (nga ana e Diasporës) e një Fondi për Investime në vendet tona. Mendojmë se, kjo do të ishte një mundësi shumë e mirë për ridestinimin e remitancave në investime direkte kapitale.

Si një formë tjetër për ridestinimin e remitancave mund jenë dhe mekanizmat e garancioneve qeveritare. Përmes kësaj forme, qeveria mund të motivojë partneritet me bankat europiane për zhvillim, si BERZH (Londër) apo Banka e Investimeve Europiane (Luksemburg), si dhe me banka të tjera për zhvillim në vendet perëndimore. Ekspertët e fushës (bankier investiv në tregun e kapitalit) do t’i menaxhonin këto fonde që paraqesin bazë për garancione, për kredi të buta apo edhe investime për ngritje biznesesh.

Në gjirin e diasporës sonë ka shumë profesionistë të aftë që e kanë dëshmuar veten në menaxhimin e resurseve të këtilla. Investimet prioritare mund të jenë në degë të shumta, si teknologjia e informacionit, digjitalizimi, motivimi i eksportit, bujqësia, e të tjera.

Një mundësi shumë e mirë do të ishte edhe krijimi i kushteve nga Institucionet e shtetit për të ofruar politika të mirëfillta për zhvillimin e turizmit duke bashkëpunuar me kompani të mëdha turistike nga Gjermania si dhe nga vendet tjera europiane.

Për realizimin e këtij synimi, pra për ta kanalizuar dhe për ta shumëzuar këtë potencial kaq të vlefshëm të remitancave, roli i shtetit është gjithsesi i pazëvendësueshëm.Në këtë drejtim mendoj se institucionet shtetërore mund të bëjnë shumë, duke krijuar mekanizma e platforma të favorshme investuese e duke hartuar politika që nxisin ridestinimin e remitancave drejt investimeve.

Ekspertët e fushës së zhvillimit ekonomik, drejtues të dikastereve apo institucioneve financiare, me siguri që i njohin mirë këto mekanizma. Ndërsa jam i bindur se burime financimi gjenden plot kur të krijohen mekanizmat dhe instrumentet e duhura.

Sigurisht që ka edhe shumë mundësi dhe modele të tjera për t’i rritur sa më shumë prurjet nga diaspora dhe për t’i bërë ato sa më efektive.

Tani, ne kemi dhe Dhomën e Biznesit të Diasporës në Tiranë, e cila është një urë lidhëse për të ndihmuar të gjitha investimet.

Pa e zgjatur më shumë, uroj që diaspora të jetë sa më e përfshirë në zhvillimin ekonomik të vendeve tona, dhe të jemi sa më të organizuar e të bashkuar sepse kështu jemi më të fuqishëm”.

Previous
Previous

Lazim Destani merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Vendet e Ballkanit – Pjesa që mungon për të qenë Europa e plotë”

Next
Next

Censusi në Maqedoninë e Veriut/ Lazim Destani thirrje Diasporës për regjistrim