Tetovë / Universiteti i Tetovës nderon Lazim Destanin me çmimin kombëtar ”Fadil Sulejmani”

Tetovë / Universiteti i Tetovës nderon Lazim Destanin me çmimin kombëtar ”Fadil Sulejmani”

Në kuadrin e shënimit të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit dhe Shkollës Shqipe, Universiteti i Tetovës nderon filantropin Lazim Destani me Çmimin Kombëtar “Fadil Sulejmani”. Ky çmim, që mban emrin e themeluesit dhe Rektorit të parë të Universitetit të Tetovës, është një vlerësim për kontributin e jashtëzakonshëm që Lazim Destani ka dhënë për arsimin si dhe për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik e shoqëror të vendit.

Në nderim të kësaj ngjarje historike me peshë kombëtare, këtu të pranishëm ishin drejtuesit e universitetit, profesorë, studentë si dhe personalitete të arsimit nga vendi dhe rajoni.

Në fjalën e tij Rektori i Universitetit Jusuf Zejneli ndër të tjera tha se shkolla dhe universiteti janë tempujt e dijes, ku ndërtohet e ardhmja dhe ku çdo student gjen mbështetje për të realizuar ëndrrat e veta. Në qendër të këtij misioni të shenjtë qëndron figura e mësuesit, e pedagogut, e profesorit – e atij që nuk jep vetëm informacion, por edukon, frymëzon dhe formëson karaktere të forta, qytetarë të ndërgjegjshëm dhe profesionistë të aftë.

Prorektori për Shkencë i Universitetit të Tetovës, Vullnet Ameti paraqiti rëndësinë e këtij çmimi dhe biografinë e laureatit të çmimit, Lazim Destani. Ai theksoi se Universiteti i Tetovës, i udhëhequr nga përkushtimi i përhershëm për t’i nderuar figurat madhore, e themeloi Çmimin Kombëtar “Fadil Sulejmani”, si simbolikë për të ruajtur të gjallë kujtimin për Rektorin historik dhe për t’i vlerësuar personalitetet, që me vizionin dhe përkushtimin e tyre lanë gjurmë të pashlyeshme në jetën arsimore, shkencore, kulturore dhe shoqërore të kombit tonë.

Me rastin e pranimit të Çmimit Lazim Destani u shpreh:

Me rastin e pranimit të Çmimit Lazim Destani u shpreh:

Jam thellësisht i nderuar por edhe i emocionuar për këtë çmim që po e pranoj nga Universiteti i Tetovës “Fadil Sulejmani”. Gëzohem pamasë kur e shikoj sot Universitetin e Tetovës, një universitet me nivel dhe arritje të larta, të përparuar e mirë të strukturuar. Gjithë ato gjenerata, djem e vajza, që kanë mbaruar këtu studimet, sot me krenari i shikojmë të angazhuar nëpër punë e detyra të ndryshme, si në sektorin shtetëror ashtu dhe në atë privat.

Ia ka vlejtur çdo sakrificë, angazhim e investim, sepse arsimi është thelbësor për një shoqëri më të zhvilluar, më të mirë e të përparuar.

Falënderoj universitetin për këtë nder që po më bën, ndërsa ndihem i lumtur që tashmë i kemi lënë prapa vitet e vështira me plot sakrifica. Tashmë shikimin e mbajmë përpara drejt mundësive të reja që pasurojnë jetën e studentëve tanë, i sjellin të mira shoqërisë dhe garantojnë të ardhme për gjeneratat e reja.

Universitetin e Tetovës ‘Fadil Sulejmani’, drejtuesit e Universitetit, stafin akademik dhe studentët, i përgëzoj për sukseset e arritura dhe uroj që ky Universitet të vazhdojë rrugën e përparimit dhe ecjes përkrah universiteteve më të mira e më moderne.

Sot kur po shënohet Dita e Mësuesit, kam kënaqësinë që këtë festë kombëtare me rrënjët e saja në Korçë, t’ua uroj gjithë mësuesve anembanë trojeve tona si dhe në diasporë.

Gëzuar 7 Marsi!     

Next
Next

Prishtinë / Lazim Destani, në Akademinë Përkujtimore “Epopeja e Nokshiqit” 1879-1880