Në Prishtinë mbahet Forumi Ekonomik Gjermano-Kosovar
Për herë të parë në Prishtinë po mbahet Forumi Ekonomik Gjermano-Kosovar. Aktiviteti i nisur ditën e djeshme dhe do të mbyllet ditën e nesërme. Ky Forum, i organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare dhe me mbështetjen e Komitetit Lindor të Ekonomisë Gjermane e të Qeverisë së Kosovës, ka mbledhur së bashku mbi 40 biznese nga Gjermania, Kosova dhe Diaspora.
Krahas rreth 250 pjesëmarrësve nga Kosova e Gjermania, të pranishëm në këtë Forum janë autoritete të larta nga Qeveria e Kosovës, përfaqësues nga Ministria Federale Gjermane për Ekonomi, si dhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë.
I pranishëm në këtë forum Presidenti i Nderit i Dhomës së Biznesit të Diasporës, sipërmarrësi dhe filantropi Lazim Destani thotë se mbajtja e këtij Forumi është edhe një mundësi e mirë për avancimin e bashkëpunimit mes Kosovës e Gjermanisë.
“Afaristë të shumtë nga të dyja vendet e nga Diaspora këtu gjejnë mundësi të favorshme për shpalosjen e ideve dhe iniciativave për zhvillim biznesi, për rritjen e bilancit të tregtisë, industrisë e të eksporteve nga Kosova. Është me rëndësi të veçantë njohja e afaristëve e partnerëve gjermanë me mundësitë e investimeve në fushat me potencial më të madh që ofron Kosova, pasi Gjermania është partneri kryesor strategjik për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës. Sipas agjendës në mbyllje të forumit pasojnë vizitat që do realizohen nëpër kompani e biznese në disa qytete të Kosovës. Këto vizita, përmes takimeve të drejtpërdrejta të afaristëve e bizneseve, paraqesin mundësi shumë të mira për njohje, për rrjetëzim e bashkëpunim mes bizneseve” shkruan ai.
Takimi tre ditor do të ketë në fokus tre çështje Outsourcing në Kosovë: Shanset dhe mundësitë, Mundësitë e Investimeve dhe Bashkëpunimit si dhe Potencialin investues në burimet e rinovueshme.