Lazim Destani takon në Dyzeldorf Fituesin e Çmimit Nobël për Paqë, Kailash Satyarthi
Lazim Destani ka zhvilluar diskutime me aktivistin e të drejtave të fëmijëve dhe fitues i Çmimit Nobël për Paqe, indianin Kailash Satyarthi, te Klubi ekonomik në Dyzeldorf.
Lazim Destani sot në Klubin Ekonomik në Dyzeldorf ka zhvilluar një takim me Nobelistin, Kailash Satyarthi. Ishte ky një takim miqësor ku Destani është njohur me punën frymëzuese ndër vite të z. Satyarthi, përfshirë çlirimin e mijëra fëmijëve indianë nga angazhimi në punë, skllavëria dhe trafikimi i tyre. Satyarthi ka punuar nëpër shumë organizata që angazhohen kundër përfshirjes së fëmijëve në punë si dhe për të drejtat e fëmijëve për shkollim. Ai e fitoi Çmimin Nobël për Paqe në vitin 2014.
Destani gjithashtu gjatë bisedës me mikun e tij paraqiti detaje mbi vështirësitë ekonomike, shoqërore dhe edukative që rëndojnë mbi fëmijët dhe të rinjtë në rajonin e Europës Juglindore.
Pas këtij takimi, z. Destani tha:
“U ndjeva i nderuar që z. Satyarthi pati mundësinë të ndajë kohë për këtë takim për të diskutuar mbi përpjekjet e pandalshme për përmirësimin e të drejtave të fëmijëve anembanë botës dhe krijimin e mundësive për shkollimin e tyre.
Në mënyrë të veçantë më bëri përshtypje pikëpamja e z. Satyarthi për mënyrën se si varet e ardhmja e një bote paqësore nga të drejtat e fëmijëve dhe të rinjve – Ky reflektim i tij paraqet gjithashtu një moment frymëzimi për të vazhduar punën në mënyrë të pandalshme për ngritjen e ekonomisë dhe forcimin e shkollimit në rajonin e Europës Juglindore.”
Kailash Satyarthi shtoi:
“Z. Destani dhe unë patëm një diskutim të shkëlqyer. Pjesa e tij e botës është gjithashtu sfiduese, sidomos për fëmijët. Dua ta ftoj z. Destani të vizitojë vendin ku punoi Nënë Tereza, pasi të fuqishme janë lidhjet e tij emocionale me vendlindjen e saj. Unë njoh disa miq e partnerë në atë rajon dhe do shikoj se si mund t’i lidh ata me z. Destani.”