Lazim Destani: Nuk synoj politikën, pioritetet e mia janë Diaspora dhe zhvillimi ekonomik
Filantropi i njohur si dhe Anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës, Lazim Destani, ka hedhur poshtë zërat se mund të kandidojë për kryeministër në Maqedoninë e Veriut në zgjedhjet që do të mbahen në muajin korrik.
Deklarata e drejtuesit të “Ecolog International”, vjen pas lajmeve në mediat e Maqedonisë dhe ato të Kosovës ku e cilësojnë Destanin si kandidat të mundshëm në zgjedhjet e ardhshme në Maqedoninë e Veriut. Në mediat e këtushme shihen titujt si “Lazim Destani do të jetë kryeministri shqiptar i Maqedonisë”, apo “Përse Zaev ka frikë nga Lazim Destani”, e të ngjashme.
Me anë të një postimi në rrjetet e tij sociale, filantropi dhe biznesmeni nga Tetova, Lazim Destani, ka sqaruar se krahas biznesit, angazhimet e tij mbeten te sfera e filantropisë, te çështjet e Diasporës dhe te zhvillimi ekonomik i trevave shqiptare. Duke u dëshiruar suksese partive garuese në Maqedoninë e Veriut, Destani pohoi se nuk ka asnjë ambicie dhe plan për t’u angazhuar në politikë.
Lajmet e ditëve të fundit, veçanërisht në mediat e Maqedonisë, janë shoqëruar nga qindra apo mijëra komente të votuesve nga të dyja etnitë, shqiptare e maqedonase, duke e mirëpritur kandidaturën e Lazim Destanit si drejtues të qeverisë së ardhshme. Dhe kjo për arsyen se Maqedonisë së Veriut i nevojitet një njeri i këtillë që do t’ia sillte vendit rimëkëmbjen ekonomike.
Postimi i plotë:
Në prag të zgjedhjeve parlamentare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të gjitha subjekteve garuese jua përcjell urimet e mia për fushatë dinjitoze dhe zgjedhje korrekte e demokratike.
Me këtë rast, meqenëse ditët e fundit në media po përmendet emri im si kandidat për pozitën e Kryeministrit, dua të sqaroj gjithë opinionin, se ashtu siç kam deklaruar edhe në të kaluarën, krahas biznesit unë mbetem i përkushtuar në sferën e filantropisë si dhe tek aktivitetet e mia në strukturat drejtuese të diasporës sonë. Angazhimi në jetën politike nuk ka qenë dhe nuk është në planet dhe ambiciet e mia. Kontributi im mbetet në sferën e zhvillimit ekonomik përmes sipërmarrjeve në biznes ashtu siç kam bërë gjatë gjithë karrierës sime.
Uroj nga këto zgjedhje të dalë një qeveri që t’i shërbejë më së miri vendit dhe gjithë qytetarëve.