Lazim Destani, në takimin e fund-vitit të Dhomës së Biznesit të Diasporës
Dje, më 21 dhjetor, u mbajt takimi përmbyllës për vitin 2020 i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare me ç’rast në përgjithësi u evidentuan aktivitetet e kryera gjatë vitit që po e lëmë pas si dhe synimet e Dhomës për vitin e ardhshëm.
Në mbledhje morën pjesë z. Ardian Lekaj, Kryetar , Z. Lazim Destani, President Nderi, anëtarët e Kryesisë z. Ergys Luga dhe z. Panajot Rumi, znj. Silva Mecaj, anëtare themeluese e DHBD, znj. Elisabeta Katiaj, Kryetare e Unionit të Sipërmarrësve të Rinj.
Çështjet që anëtarët e Kryesisë trajtuan ishin :
Qëllimet e Dhomës për vitin 2021
Aktivitetet e zhvilluara gjatë 2020
Projektet e zbatuara dhe ato në proces
Marrëveshjet e firmosura gjatë 2020 dhe bashkëpunimet për 2021.
Mbledhja u karakterizua nga diskutime gjithpërfshirëse, shkëmbim ekspertize dhe pikëpamjesh referuar ceshtjeve koherente dhe atyre me efekt kohegjatë në fushën e sipërmarrjes në Shqipëri dhe kryesisht referuar angazhimit të diasporës.
E veçanta e kësaj mbledhje ishte “Takimi me Diasporën e suksesit”. Kjo ide u propozua nga z. Ergys Luga për tu njohur më nga afër me histori suksesi integriteti profesional dhe njerëzor të diasporës, për të zgjeruar prezantimin e aktivitetit të DHBD në diasporë dhe për të shkëmbyer eksperienca dhe ide në shërbim të angazhimit produktiv të diasporës në zhvillimin ekonomiko-social të vendit.
I ftuari i nderit në këtë takim ishte z. Denis Dollaku, Zv/President dhe Drejtor Ekzekutiv i “State Street Bank International GmbH”, një institucion bankar gjerman, me shtrirje ndërkombëtare dhe me një staf prej më shumë së 10,000 punonjësish që drejtohet me sukses nga z. Dollaku që prej vitit 2019. Z. Dollaku vlerësoi ftesën dhe përpos prezantimit modest të rrugëtimit të tij profesional, diskutoi me pjesëmarrësit rreth përvojave dhe pikëpamjeve për çështje financiare dhe për investimet. Në përfundim të takimit, z.Dollaku shprehu respektin dhe vlerësimin e tij për kontributin e anëtarëve të Kryesisë së Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare për diasporën Shqiptare si dhe premtoi se do të shqyrtojë mundësitë e shtrirjes së biznesit të tij edhe në Shqipëri.