Lazim Destani në “Bordin e Nderit” të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka bërë me dije se “Bordit të Nderit” i janë shtuar një sërë personalitetesh të shquara.
Presidenti i Nderit i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare Lazim Destani, gazetari Frank Shkreli, biznesmeni Harry Bajraktari, shefi i seksionit shqip të “Radio Vatikanit”, Dom David Xhuxha dhe ish-ministrja e Integrimit Klajda Gjosha janë emrat të cilët do të shërbejnë në Bordin e Nderit së bashku me ish-Ambasadorin e SHBA, Theodore R. Britton Jr.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë është një organizatë e pavarur, jo fitim-prurëse, e themeluar nga një grup ish-ambasadorësh, sipas modelit që kanë organizatat e tilla në vendet demokratike.
Në njoftimin për media që ka bërë Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë thuhet, - Lazim Destani, një biznesmen i suksesshëm shqiptar, filantrop, aktivist, humanist dhe një qytetar i botës, i cili me mirësjellje ka pranuar të shërbejë në Bordin tonë të Nderit për të mbështetur misionin tonë. Z. Destani është i njohur për kontributet e shumta të çmuara në ndihmë të çështjes shqiptare në mbarë botën dhe shquhet si një individ i respektueshëm në të gjitha aktivitetet dhe rrethet afariste, filantropike dhe patriotike, duke bërë një ndryshim të madh në jetën e njerëzve.