Lazim Destani mbështet botimin e librit, Demografia e Kosovës

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës ka promovuar sot librin “Demografia e Kosovës” me autor, Akadmik Hivzi Islami. Shtypjen e kësaj vepre shkencore e financoi filantropi Lazim Destani.

Libri i Akademikut Hivzi Islami, “Demografia e Kosovës – Evolucioni i popullsisë, migrimet, gjeopolitikat ekspansioniste serbe dhe spastrimet etnike të shqiptarëve” u promovua në sallën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në prani të Akademikëve, studiuesve dhe dashamirësve të librit më 4 shkurt 2021.

Për vlerat që bart ky libër foli Sekretarja e Seksionit të Shkencave Shoqërore, Akademikja Justina Shiroka-Pula, recensentët e librit Akademik Isa Mustafa dhe Akademik Anton Berishaj, si dhe bashkëpunëtori shkencor i autorit të librit, prof. Arsim Ejupi. Ndërsa në emër të z. Lazim Destani këtë ceremoni promovuese e përshëndeti znj. Pranvera Kasami.

Folësit e vlerësuan lart librin duke e cilësuar si punë kolosale për zbardhjen, evidentimin, analizën, interpretimin dhe prezantimin e rezultateve në lidhje me gjendjen, trendet si dhe faktorët që kanë nxitur ndryshimet demografike në Kosovë.

Justina Shiroka-Pula, duke falënderuar filantropin Lazim Destani për financimin e librit, theksoi se autori përmes qasjes shkencore, moderne dhe profesionale ka sjellë risi në fushën e demografisë.

Akademiku Anton Berishaj tha se autori ka bërë një punë të madhe në fushën e demografisë. Ai tha:

“Autori i librit, Hivzi Islami, ka bërë një punë të madhe në zbardhjen, evidentimin, analizën, interpretimin dhe prezantimin e rrjedhave demografike që lidhen me gjendjen, trendet, ndryshimet, faktorët që i nxisin ato dhe perspektivën e rrjedhës së këtyre proceseve në Kosovë”.

Në fjalën e tij, Akademiku Isa Mustafa tha:

“E kam vlerësuar lart përmbajtjen, bazueshmërinë shkencore dhe historike, metodologjinë e përdorur dhe kronologjinë e konkludimeve të këtij botimi. Botimi ‘Demografia e Kosovës’, prezanton aspekte shumë-dimensionale të studimit të popullsisë, ndërlidhur me ekonominë dhe zhvillimin duke trajtuar këtë edhe në rrafshin botëror, nga aspekti i qasjes së OKB-së por edhe nga aspekti i tranzicionit demografik në Evropë”.

Ndërsa Pranvera Kasami në fjalën e saj i përshëndeti të pranishmit në emër të z. Lazim Destani me ç’rast i solli vlerësimet e tij më të larta për këtë vepër shkencore. Ajo tha:

“Më lejoni t’jua sjell të falat e përzemërta të z. Lazim Destani i cili përkundër dëshirës nuk e pati mundësinë të merrte pjesë në promovimin e këtij libri shumë të çmueshëm. Ne si mbështetës me padurim pritëm të dalë në dritë kjo vepër që do t’u shërbejë shumë gjeneratave, studentëve e studiuesve dhe hulumtuesve të fushave të ndryshme nga vendi dhe jashtë”.

Previous
Previous

Censusi në Maqedoninë e Veriut/ Lazim Destani thirrje Diasporës për regjistrim

Next
Next

Lazim Destani falënderon Kongresistin Eliot Engel