Kompania Ecolog International dhe Spitali Klinik i Tetovës nënshkruajnë Memorandum Bashkëpunimi
Kompania ‘Ecolog International’ e filantropit Lazim Destani ka nënshkruar sot Memorandum Bashkëpunimi me Spitalin Klinik të qytetit të Tetovës. Me prezencën e mediave lokale dhe atyre qendrore të Maqedonisë së Veriut, kjo Marrëveshje u nënshkrua nga Lazim Destani si përfaqësues i kompanisë Ecolog International dhe Dr. Spec. Ilir Demiri, Drejtor i Spitalit Klinik - Tetovë.
Në kuadër të kësaj Marrëveshje, si donacion fillestar që familja Destani ka vendosur të bëjë për qytetin e Tetovës është rikonstruimi i përgjithshëm i një pjese të godinës për sëmundjet interne të këtij spitali. Pas përfundimit të këtyre punimeve, pjesë e këtij donacioni do të jenë edhe pajisjet spitalore si, aparaturë e instrumente mjekësore të teknologjisë moderne si dhe orendi të nevojshme për këto reparte. Vlera e këtij donacioni parashikohet të kalojë shifrën prej një milion euro.
Drejtori i Spitalit Klinik Dr. Ilir Demiri e çmoi lart këtë kontribut dhe shprehu kënaqësinë e tij duke falënderuar kompaninë Ecolog dhe familjen Destani për vullnetin dhe gatishmërinë e tyre për t’i dhënë këtij spitali një mbështetje aq shumë të nevojshme.
Filantropi Lazim Destani gjithashtu u shpreh i lumtur për mbështetjen që po i jep Spitalit Klinik të këtij qyteti.
“Pacientët që i drejtohen dhe kërkojnë ndihmën e këtij spitali meritojnë kushte dhe trajtim europian, ashtu siç na ka hije të jemi qytetarë dhe vend europian. E çmoj lart punën me përkushtim të Dr. Ilirit që reflekton besim se me qasje të sinqertë dhe profesionale mund të bëhen ndryshime të mëdha”, tha Destani me këtë rast.