Delegacioni nga diaspora adreson sfidat e politikave
Lazim Destani priti në takim delegacionin me përfaqësues të lartë nga Shqipëria dhe Kosova që ishin pjesë e konferencës “Dialogu me Diasporën” në Gjermani, organizuar nga ana e Konsullatës së Nderit të Republikës së Shqipërisë në North Rhine-Westphalia (NRW).
Kjo konferencë organizohet në vigjilje të festave të Nëntorit si dhe për të shënuar 30 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Republikës Federale Gjermane.
Pjesë e delegacionit ishte ambasadori i Shqipërisë Artur Kuko dhe ambasadori i Kosovës Skënder Xhakaliu në Republikën Federale të Gjermanisë si dhe Ministri kosovar i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.
Në këtë takim u shkëmbyen ide mbi politikat dhe praktikat e Kosovës, Shqipërisë dhe Gjermanisë për diasporën. Gjithashtu temë diskutimi ishte edhe angazhimi i diasporës në fusha relevante, shfrytëzimi i kapacitetit human- ekspertëve nga diaspora si dhe diaspora si investitor i mundshëm në rajon.
Lazim Destani së bashku me delegacionin më pas morën pjesë në një pritje të organizuar nga Kryeministri i NRW, Armin Laschet. Pritja u organizua me rastin e vizitës së Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.